Milan, Lippi-Brocchi për Planin B

Sporti

Milan, Lippi-Brocchi për Planin B

Më: 23 maj 2015 Në ora: 16:19

Presidenti Silvio Berlusconi kërkon një Milan “Made In Italy” dhe puna për të ndërtuar skuadrën e së ardhmes sapo ka nisur. Pjesa më delikate sigurisht që është struktura e niveleve drejtuese dhe në këtë aspekt tifozët nuk duhet të krijojnë iluzione për afrimin e trajnerëve që nëpër Europë kanë lënë gjurmë. Jurgen Klopp dhe Unai Emery nuk do të ulen në stolin kuqezi sepse marka italiane mban radhën e parë në zgjedhjet e Berlusconit.

Ancelotti për momentin mbetet një objektiv që vështirë se mund të shënjestrohet, ndërsa rruga që të çon te Vincenzo Montella duket më e shkurtër. Fiorentina kërkon 5 milionë Euro për ta lënë të lirë por bisedimet mes dy klubeve mund t’i detyrojnë drejtuesit toskanë të heqin dorë nga ky pretendim. Në rast se Montella nuk do të arrijë të lirohet nga detyrimet kontraktuale me Fiorentinën, alternativë është dyshja Lippi-Brochi. Ish trajneri i kombëtares është adresuar për postin e drejtorit teknik, ndërsa ish-mesfushori mbetet ende në lupën e drejtuesve të shoqërisë.

Një dyshe që kombinon energjinë e Brocchit me aftësinë menaxheriale të Lippit, i cili do të ketë dorë të lirë të vendosë për parametrat teknikë të skuadrës. E gjithë kjo skemë do të koordinohet nga Adriano Galliani me të cilin Lippi ka ruajtur një marrëdhënie të shkëlqyer. Plani B për ringritjen e Milanit sapo ka nisur, skuadra kuqezi është një kantier i hapur ndërtimi dhe koha nuk premton sepse revolucioni duhet të përfundojë përpara fillimit të sezonit të ri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat