Van Gaal, 200 milionë euro në merkato

Sporti

Van Gaal, 200 milionë euro në merkato

Më: 23 maj 2015 Në ora: 16:19

Louis Van Gaal po tregon se mund t’i shpenzojë si të dëshirojë milionat e klubit në merkato. Verën e shkuar ai nuk i kurseu aspak pronarët amerikanë, por një gjë të tillë planifikon ta bëjë edhe në merkaton e verës. Bashkë me drejtuesit ai ka gjetur gjuhën e përbashkët për shumë detaje, madje ka arritur t’i bindë se nuk është një politikë e drejtë që të pengohet blerja e lojtarëve mbi 27 vjeç. Bastian Schweinsteiger është objektivi i holandezit për të përforcuar mesfushën edhe pse ai ka 31 vite mbi supe. Dhe kur u përmend emri i gjermanit, administratori i deleguar Ed Woodward nuk tentoi të bënte asnjë pyetje pasi veterani i Bayernit ka një eksperiencë të madhe mbi supe me 8 tituj në Bundesligë, 1 Uefa Champions League dhe kontrata e tij në skadencë e bën më pak të kushtueshëm transferimin në “Old Trafford”.

Manchester United mund të paguajë 14 milionë Euro dhe lojtari ka shprehur interesin e tij për të provuar një eksperiencë të re. Por ka nga ata që duan të transferohen në Manchester dhe nga ata që dëshirojnë të largohen sa më parë nga qyteti. Ky është rasti i portierit De Gea, i cili synon transferimin në Madrid me Realin dhe në këtë rast, alternativa e tij është një tjetër veteran, Petr Cech. Mourinho i ka ndezur dritën jeshile gardianit që mund të vendosë i lirë për të ardhmen e tij. Van Gaal nuk është i fiksuar pas lojtarëve të konsumuar në moshë sepse për dy emrat e sipërpërmendur ai ka edhe dy kundërpërgjigje, Gareth Bale dhe Harry Kane. Të dy sulmues, të dy me një të ardhme të madhe përpara por me një problem të madh, do të duhen miliona për t’i shkëputur nga Reali dhe Tottenhami.

Uellsiani nuk lëviz nga “Bernabeu” për më pak se 100 milionë, ndërsa anglezi mbetet një “mollë e ndaluar” për momentin pasi në garë për të ka hyrë edhe Paris Saint Germain. Nuk duhet lënë jashtë vëmendjes as pista që të çon te Radja Nainggolan, i cili shihet si alternativa kryesore e mesfushës dhe me një llogari të thjeshtë, merkatoja e Manchester United këtë verë mund të arrijë vlerën 200 milionë Euro. Ky është viti i së vërtetës për Louis Van Gaal, pasi në përfundim të sezonit të ardhshëm mbi kokën e tij do të vërtitet hija e Pep Guardiolës, kontrata e të cilit me Bayernin skadon. Katalanasi ka preferuar të presë çfarë do të ndodhë te “Djajtë e Kuq” për të marrë një vendim dhe ky është një paralajmërim ndaj Van Gaal, koha e holandezit sapo ka filluar të numërohet mbrapsht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat