Wanda Nara “largon” Icardin nga Interi

Sporti

Wanda Nara “largon” Icardin nga Interi

Më: 23 maj 2015 Në ora: 14:54

Pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua e suksesshme. Në rastin e Mauro Icardit, bashkëshortja e tij Wanda Nara është diçka më shumë, ndoshta agjentja kryesore që ka një peshë të madhe në vendimet profesionale të bomberit zikaltër. Kur dukej se çështja e rinovimit të kontratës së argjentinasit me Interin ishte thjesht një formalitet, Nara kërkon të vendosë pikat mbi “I” duke i dhënë një sinjal të qartë presidentit Erick Thohir. Në një postim të publikuar në Twitter, Nara hedh bombën në ambjentin zikaltër duke ushqyer zërat për një largim të mundshëm të Icardit nga Milano. Pas një artikulli të publikuar në katalanasen “Sport” me titullin: Rinovimi me Interin është i vetmi opsion për Icardin, bashkëshortja e tij replikon: Gaboheni, kush ua jep informacionet? Të hënën do të jem në Madrid dhe nëse keni nevojë për informacione mund të më kontaktoni”.

Një postim që ngjalli menjëherë shumë polemika por u zhduk pak orë më vonë. Një kaos i vërtetë për shoqërinë zikaltër që kërkon ta ndërtojë të ardhmen duke u nisur pikërisht nga Maurito, i cili vlerësohet shumë nga trajneri Roberto Mancini dhe stafi i tij. Gjatë ditëve të shkuara palët ishin shumë pranë firmës që do t’i lidhte edhe për vitet në vazhdim, por mesa duket në familjen Icardi nuk janë të gjithë dakort që aventura e tij të vazhdojë në një skuadër ku investimet janë me pikatore dhe e ardhmja duket e paqartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat