Haxhi Krasniqi para një meçi të madh në shtator!

Sporti

Haxhi Krasniqi para një meçi të madh në shtator!

Nga: Kemajl Goca Më: 22 maj 2015 Në ora: 10:08

Boksieri i mirënjohur shqiptar, Haxhi Krasniqi, është duke stërvitur me intensitet të shtuar që të rikthehet sa më fuqishëm në ring. Krasniqi beson se do të përgatitet maksimalisht për betejat e reja dhe iu premton kudo që janë shqiptarët se do të rikthehet edhe më i fortë. Ylli shqiptar ka tri javë që stërvitet në Munih, me synim të jetë në nivelin edhe më të lartë dhe shumë shpejt do të luftojë për titullin e kampionit.

Boksieri i kategorisë gjysmë të rëndë në versionin WBO e WBA pritet të boksojë në muajin shtator të këtij viti. Haxhi Krasniqi së bashku me këshilltarin e tij, Luan Dreshaj, ekskluzivisht për gazetën kombëtare “Bota sot”, tregojnë për planet që kanë gjatë këtyre muajve.

“Haxhiu ka filluar me stërvitje të lehta vetëm pesë javë pas duelit në Rostock. Nuk kishte dëshirë të pushonte më shumë, do që në shtator të jetë gati për një duel tjetër të madh”, tregon Dreshaj. “Kundërshtari caktohet më vonë, kemi kohë ende. Është e mundur që në korrik të zhvillohet një duel 8 rundesh sa për të qenë aktiv, ta shohim!!!”, thotë Dreshaj. Ju si këshilltar i Haxhiut, a besoni se do të jetë në formën më të mirë të mundshme? “Për këtë jam i bindur, përkushtimin që e ka Haxhiu dhe për punën e tij, nuk e ka askush.

Jo rastësisht u bë me 21 mars boksieri më i suksesshëm shqiptar i të të gjitha kohërave, pra këtu kemi parasysh katër titujt e tij të mëdhenj që i ka fituar më parë, titullin e Gjermanisë, titullin WBO të Evropës, titullin WBO International dhe titullin WBA Contintal. Ka luftuar dy herë për titullin e botës dhe me gjithsej 46 meçe profesioniste (43 fitore) e ka një rekord fenomenal.

Në luftën ndaj Brähmer ishte deri ne rundin e 8 i barabartë me kampionin e botës, por fati nuk ishte i yni, andaj iu ça buza dhe duhej të ndërpritej lufta, përndryshe po do të kishte vazhduar luftën dhe do të dilte fitues, sepse kishte kondicion jo vetëm për 12 por edhe për 16 runde”, tha Dreshaj. Haxhi Krasniqi shprehet se do të jetë i gatshëm në fund të vitit të luftojë për titull.

“Bota sot”: Haxhi, tash e tri javë po stërviteni prapë, si rrjedhin stërvitjet, ku përgatiteni më shumë (në cilin vend) dhe a iu premtoni tifozëve se do të ktheheni edhe më të fortë në ring?
Haxhi Krasniqi:
Tani stërvitjet përbëhen më së shumti prej vrapimeve, i bëj këtu në Munih. Si jo, pretendoj të bëhem kampion bote, andaj dua të bëhem edhe më i mirë dhe të punoj gjithnjë më synime të mëdha.

“Bota sot”: Për sa kohë premtoni se do t’i ktheheni luftës për titullin e kampionit botëror dhe a shpresoni se e treta do të jetë e vërteta?
Haxhi Krasniqi:
Kjo varet nga shumë gjëra jo vetëm nga unë. Unë do të isha që në fund të vitit i gatshëm në luftën e tretë për titullin e botës dhe po besoj se e treta do të jetë e vërteta.

“Bota sot”: Deri më tash keni zhvilluar dy meçe për titullin e botës, në vitin 2013 në Londër (versioni WBO) kundër uellsianit Nathan Cleverly dhe me 2015 në Rostock (WBA ) ndaj gjermanit Jurgen Brähmer. A mendoni se ishin një përvojë e mirë dhe iu kanë pjekur edhe më shumë për të ardhmen?

Haxhi Krasniqi: Patjetër, nga kampionet e botës mëson 20 herë më shumë se nga të gjithë kundërshtarët tjerë. Unë kam hyrë shumë i ri në boksin profesionist dhe pa përvojë amatore, andaj kanë qenë shumë të rëndësishme këto luftëra dhe kështu e di se unë i takoj nivelit botëror. Ato dy ndeshje me kanë jap mësimin e duhur dhe besoj se në luftën e tretë për titullin e botës, unë do të jem më i mirë se kampioni i botës pavarësisht se cili do të jetë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat