Magjia e Messit, e kush tjetër, Barcelona bindshëm

Sporti

Magjia e Messit, e kush tjetër, Barcelona bindshëm

Nga: Kemajl Goca Më: 6 maj 2015 Në ora: 22:39

Barcelona shënoi fitore bindëse me rezultat 3:0 kundër Bayernit. LIonel Messi me dy gola dhe Neymar me një, ishin kreatorë të fitores.

Lionel Messi është trim i mbrëmjes dhe i fitores së madhe të Barcelonës me rezultat 3:0 kundër Bayernit nga Munihu, në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Champions League në futboll. Magjia e Messit, e kush tjetër thyen vuajtjen e katalunasve pas plotë 77 minutave. Messi me dy golat e tij thyen mbrojtjen e fuqishme të bavarezëve, që deri në momentin e pësimit të golit ishin të jashtëzakonshëm me portierin Manuel Neuer. Kur është në fushë i ashtuquajturi jashtëtokësor, Messi, gjithçka ndryshon brenda pak minutave. Në 45 minutat e parë futbollistët treguan lojë luftarake me ritëm të lartë. Mbrojtja dhe mesfusha bavareze në nivelin e lartë, nga ana tjetër Barcelona gjithnjë sulmoi. Barcelona nuk ka mundur ta qarkullojë topin ashtu si ka parashikuar gjatë pjesës së parë, por edhe në periudhën e dytë të lojës pati edhe më shumë vështirësi, ngase hasi në lojë edhe më të fortë të mysafirëve, por gjithçka shpërtheu në minutën e 77-të.

Në minutën e 11-të, Luis Suarez, me hapa të shpejt futet në 16-sh dhe kur pritej gol, portieri gjerman Manuel Neuer ka reaguar fenomenal me këmbë dhe shpëtoi portën e tij. Pas katër minutave, Neymar sikur të ishte më syçelë nga afërsia ka mundur ta plasoi topin në rrjetë. Edhe Bayerni pati një mundësi të mirë, por harkimin e bukur të Mullerit Lewandowski nuk e qëlloi topin për ta fërfëlluar në rrjetë pikërisht në minutën e 18-të. Në minutën e 39-të, Iniesta si gjithnjë i lëvizshëm, si me dorë ia pasoi topin Dani Alvesit, i cili doli ballë për ballë me portierin Neuer, por ky i fundit edhe një herë dëshmoi cilësitë e portierit të klasit botëror dhe me këmbë ka reaguar shkëlqyeshëm duke shpëtuar gol të sigurt. Në minutën e 61-të, Neuer luajti rolin e mbrojtësit, duke dalë jashtë 16-shit dhe ia largoi topin nga këmbët Neymarit. Në minutën e 64-të, Neymar ishte në një pozicion të volitshëm, mirëpo gjuajtja e tij shkoi mbi portë. Futbollistët e Bayernit nuk ishin të vëmendshëm, kur topin e merr Alves dhe e pasoi deri të Lionel Messi, i cili me mjeshtrin e tij nga rreth 17-18 metra me një gjuajtje të fortë mposhti portierin Neuer dhe 1:0. Kroati Rakitiç për mrekulli e gjen Messin, i cili me stilin e tij mjeshtëror mposhti portierin Neuer dhe 2:0 në minutën e 81-të. Neymar në minutën e 90+4' vulosi fitoren e thellë me rezultat 3:0. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet me 12 maj në stadiumin 'Allianz - Arena', por Barcelona shkon me një epërsi komode dhe është afër finales së madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat