Spektakël në Torino, Juventusi gjunjëzoi Realin

Sporti

Spektakël në Torino, Juventusi gjunjëzoi Realin

Nga: Kemajl Goca Më: 5 maj 2015 Në ora: 22:42

Kampioni italian, Juventusi, ashtu si i ka hije luajti dhe shënoi fitore me rezultat 2:1 kundër Real Madridit, në ndeshje e parë të gjysmëfinales së Champions League në futboll.

Në stadiumin "Juventus Arena" ishte një spektakël i vërtetë dhe një Juventus që dëshmoi lojë të madhe përballë kampionit në fuqi evropian. Mbi 41 mijë shikues panë lojë të shpejtë e të bukur me tri gola të realizuara dhe shtatë futbollistë të ndëshkuar me karton të verdhë. Një Juventus që luftoi me gjithë zemër dhe fitoi me plotë meritë, por edhe një Real Madrid që nuk pati fat të kthehet me një barazim.

Si njëra palë po ashtu edhe skuadra tjetër aplikuan veprime të shpejta dhe madje një herë u qëllua edhe tërthorësja. Në minutën e 7-të, Alvaro Morata u mundua nga 25 metra ta befasojë portierin Iker Casillas, por pa sukses. Pas dy minutave, futbollistët e Juves ndërmorën një veprim të shpejtë dhe e zunë të shthurur mbrojtjen e Realit, ku sulmuesi argjentinas Carlos Tevez për bukuri me një pasim të fortë e gjen Alvaro Moratan, ky i fundit nga afërsia e përplasi topin në rrjetën e portierit Iker Casillas dhe 1:0.

Pas këtij goli rritet edhe më shumë presioni të kampioni në fuqi evropian, të cilët në minutën e 13-të përmes Ronaldos nga rreth 23-24 metra rrezikuan portën e "Zonjës së Vjetër", megjithatë, topi u devijua jashtë vijës fundore. Një veprim i shkëlqyeshëm i Real Madridit, kolumbiani James Rodriguez që ishte brenda 16-shit harkoi për mrekulli, ndërsa sulmuesi më i mirë në botë, Cristiano Ronaldo nga afërsia se pati të vështirë me kokë ta plasoi topin në rrjetën e portierit Buffon, 1:1 në minutën e 27-të.

Claudio Marchisio pati rast të mirë në minutën e 34-të, por gjuajti jashtë portës. Juve ishte me fat në minutën e 41-të, kur një veprim shkollorë i Realit gati sa përfundoi brenda portës. Marcelo me dinakëri fut në zjarr Iscon, i cili harkoi si me milimetër deri të Rodriguez, por gjuajtja e tij me kokë ndalet nga thërthorësja.

Një kundërsulm i shpejt i Juves, Tevez për bukuri futet në 16-sh dhe pengohet në mënyrë të palejueshme nga Carvajal, gjyqtari pa u hamendur fare akordoi penallti. Futbollistët e të dyja skuadrave protestuan, ndërsa gjyqtari anglez Martin Atkinson ndëshkoi me kartona të verdhë Marcelon dhe Vidalin. Tevez në minutën e 58-të me mjeshtri gjuajti nga penalltia dhe Juventusit ia siguroi fitoren e madhe me rezultat 2:1. Ndeshja e kthimit zhvillohet me 13 maj në Santiago Bernabeu dhe pritet të jetë vërtetë një dramë e madhe sikurse në Torino.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat