Derbi edhe jashtë fushe, shkëndija mes Duros dhe Maganit

Sporti

Derbi edhe jashtë fushe, shkëndija mes Duros dhe Maganit

Më: 5 maj 2015 Në ora: 12:18

Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro u shpreh i lumtur për barazimin e arritur në derbi duke thurur elozhe për skuadrën e tij që arriti të dilte pa humbje në ndeshjet derbi gjatë këtij sezoni.

“Jam shumë i kënaqur por do të isha më shumë po të fitonim. Barazimi është rezultat pozitiv. Gjatë gjithë ndeshjes kemi qenë më superiorë. Nuk i lejuam asnjë hapësirë Tiranës. Skuadra tregoi pjekuri dhe grintë duke e rikthyer rezultatin me planin B më në fund. Jemi superiorë gjatë gjithë sezonit me Tiranën. e rëndësishme është Europa por në tre javët e fundit kemi tre kundërshtarë që kanë dalë nga objektivat”.

Duro kritikoi arbitrimin në rastin e golit të dytë të Tiranës, duke u shprehur Bakaj ishte në pozicion jashtë loje. Sipas trajnerit të të kuqve, Skënderbeu po shkon drejt titullit të pestë kampion pasi ka zhvilluar një kampionat pozitiv dhe e meriton të jetë në krye të klasifikimit. Ndërkohë, për autorin e golit të dytë të Partizanit, Mentor Mazrekaj, barazimi është një rezultat i kënaqshëm për të kuqtë. Ai shtoi se gjatë tre javëve të fundit, Partizani do të kërkojë 9 pikë për të arritur Europën.

“Goli i Tiranes eshte i parregullt pasi Bakaj eshte shume perpara me te gjithe. Gjithsesi ne dhame maksimumin dhe jam i kenaqur me ekipin. Mendoj se jemi ekipi me i mire i kampionatit pas Skenderbeut pasi korcaret e meritojne titullin.”

Në kampin bardheblu, trajneri Gugash Magani u shfaq dukshëm i zhgënjyer pas barazimit në “Qemal Stafa”.

“Nuk jam i kënaqur me rezultatin por skuadra u shpreh mirë në fushë. Lamë dy pikë por skuadra tregoi grintë dhe nëse do të ishim treguar më të qetë mund ta kishim fituar ndeshjen. Nëse do të luanim me këtë ekuilibër gjatë gjithë kampionatit, do të kishim më shumë pikë”.

Trajneri peqinas analizoi golat e pësuar, duke hequr peshën e përgjegjësisë nga reparti i mbrojtjes.

“Goli i parë i pësuar ishte një gabim joni në mesfushë, ndërsa i dyti ishte me fat. Ne kemi humbur dy pikë dhe kjo është ajo që nuk më kënaq”.

Magani sqaroi se ndërrimi i Sefës ishte i detyruar për shkak dëmtimi, ndërsa mbroi vendimin e tij për ta futur sulmuesin Ndikumana nga stoli. Në fund, ai replikoi me kolegun Duro duke iu kundërpërgjigjur me një batutë.

“Unë nuk gëzohem kur skuadra ime barazon sic bejne te tjeret. Mendoj se jemi më mirë se Partizani dhe do të luftojmë deri në fund për një vend në kupat e Europës. Ne fund do ta shikojme se kush do te renditet i dyti.”/SuperSport

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat