Rekord forcash për sigurinë e derbit të kryeqytetit

Sporti

Rekord forcash për sigurinë e derbit të kryeqytetit

Më: 4 maj 2015 Në ora: 13:22

Dita e madhe ka ardhur. Qyteti këtë mbrëmje ndalet për derbin, luhet Partizani-Tirana, sfida e sfidave dhe tifozët e të dy kampeve janë gati për t’i shtuar shfaqjes në fushë, spektaklin e tyre të jashtëzakonshëm në tribuna me koreografinë, dekoret dhe korët që vetëm derbi mund t’i ofrojë.

Gjithçka është gati edhe në këtë drejtim, me tifozeritë rivale që do të grumbullohen në pikëtakimet e tyre respektive për të shkuar të bashkuar si një trup i vetëm në stadium. Derbi i 142-të i historisë shënon edhe një tjetër rekord për sa i përket masave të sigurisë.

Për të garantuar rendin do të angazhohen plot 1200 forca të policisë, një numër rekord ky për sa i përket prezencës së uniformave blu që do të angazhohen për të bërë që gjithçka të shkojë më së miri, ndërkohë që si zakonisht para derbit do të bllokohen për kalimin e makinave edhe rrugët përreth stadiumit.

Mbarëvajtja e sigurisë në stadium shënon një risi edhe për sa i përket angazhimit të Kompanisë “Kevitan Security” që do të angazhojë në stadium mbi 50 steward të specializuar për punën dhe situatat në stadium që do të jenë në “Qemal Stafa” për të bërë të mundur një organizim bashkëkohor sic ndodh në stadiumet europiane.

Impianti kryeqytetas pritet të jetë i tejmbushur, megjithëse për të gjithë ata që duan të shohin derbin nga shkallët e “Qemal Stafës” ka ende bileta në shitje.

Në fakt bëhet fjalë për bileta të disponueshme vetëm në sektorin D3 dhe E të përcaktuar për tifozët e Partizanit, që ka dhe shumicën dërrmuese të vendeve si skuadër pritëse, pasi biletat në sektorët e tifozerisë bardheblu janë shterur sa hap e mbyll sytë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat