Arturo Vidal u drejtohet me një apel të gjithë juventinëve, se festimet për titullin mund të presin dhe vëmendja duhet të shkojë te Reali i Madridit. Goli i kilianit në fitoren me Sampdorian ishte i mjaftueshëm që bardhezinjtë të siguronin titullin e katërt radhazi kampion, megjithatë Vidal nuk e ka mendjen te festa.
“E di që Reali i Madridit është skuadra më e mirë në botë, por ne duam të jemi në finale. Do të ishte një ëndërr e bërë realitet nëse arrijmë triumfin në Champions. Festa mund të presë, ka kohë deri në fund të sezonit”.
Pas avancimit në gjysmëfinale, bardhezinjtë kërkojnë më shumë se kaq. Djemtë e Allegrit mendojnë se ngjitja në majën e Europës është një sukses i vështirë, por i arritshëm. Një nga këta është edhe Vidal, për të cilin ekipi duhet të bëjë çmos që ta ruajë portën të paprekur në Torino.
“Luajmë mirë dhe me pjekuri. Nga ndeshja e parë varet fati ynë. Më pas do të shkojmë në Bernabeu, një stadium që më jep emocione vetëm kur e mendoj”.