Valencia fitore që vlen Champions kundër Eibar

Sporti

Valencia fitore që vlen Champions kundër Eibar

Më: 3 maj 2015 Në ora: 21:58

Fitore me aromë Championsi për Valencian. Skuadra e drejtuar nga trajneri portugez Nuno Santo fitoi 3-1 ndaj Eibarit në stadiumin Mestalla duke konsiliduar pozitat e saj në vendin e 4-t të klasifikimit të La Ligas. Me këtë sukses Valencia u ngjit në kuotën 72 pikëve tre më shumë se Sevilla. Duhej të vinte minuta e 25-të që Valencia të thyente rezistencën e Eibarit dhe ishte qëndërmbrojtësi argjentinas Nicolas Otamendi ai që kërceu më lart se të gjithë duke goditur saktë me kokë pas një krosimi të Jose Luis Gaya. Valencia ia bëri më të thjeshta gjërat vetes në minutën e 56-të kur realizoi edhe golin e avantazhit të dyfishtë me Dani Parejon.

Mesfushori spanjoll me një goditje spektakolare nga distanca i coi shifrat e takimit në 2-0. Për të hipotekuar fitoren e Valencias mendoi Paco Alcacer që në minutën e 71-të dërgoi në rrjetë një top të kthyer nga shtylla duke e cuar në 3 gola epërsinë e Valencias. Golin e nderit për modestët e Eibarit e shënoi sulmuesi i tyre kryesor Aurrabarrena 6 minuta përpara fundit duke fiksuar shifrat përfundimtare në 3-1. Me këtë humbje skuadra e trajnerit Gaizka Garitano ndërlikon akoma edhe më tepër pozitat e saj në klasifikim dhe duhet të luftojë deri në javën e fundit për të siguruar mbijetesën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat