Mayweather sërish “mbret”, Pacquiao mundet nga…gjyqtarët (Foto)

Sporti

Mayweather sërish “mbret”, Pacquiao mundet nga…gjyqtarët (Foto)

Më: 3 maj 2015 Në ora: 06:54

Floyd Mayweather…ai vazhdon të jetë mbreti në fronin e paprekur të boksit botëror. Amerikani triumfon në ndeshjen e shekullit duke fituar me pikë pas 12 raundeve përballë filipinasit Manny Pacquiao që nuk bëri sa duhet për të kërcënuar paprekshmërinë e amerikanit.

Në përfundim të 12 raundeve, 3 gjyqtarët votuan në favor të Mayweather 118-110, 116-112, 116-112 edhe pse në pamje të parë sfida e zhvilluar në “MGM Grand Arena” u duk e barabartë. Gjerdanët WBC, WBA dhe ai i Pacquiaos WBO të kategorisë welter bashkohen nën të njëjtën çati, atë të Mayweather.

Me këtë sukses, Mayweather vazhdon të ruajë të paprekur kolonën e humbjeve në karrierën e tij ku numëron 48 suksese.

Një vendim që u duk se tronditi boksierin filipinas, i cili mendoi se kishte bërë mjaftueshëm për t’i rrëmbyer gjerdanët rivalit të tij më të madh brenda në shtëpinë e tij.

Kjo ishte ndeshja më e shtrenjtë në historinë e boksit ku të drejtat televizive arritën kulmin, u transmetua direkt në SuperSport1 dhe SS1HD me një transmetim maratonë që nisi në orën 2:00 të mëngjesit të së Dielës dhe përfundoi rreth 5 orë më pas.

Takimi startoi me “Pac Man” dhe Money Man të cilët nuk preferuan sulmin por studimin e njëri-tjetrit, ndërsa në raundin e dytë Floyd lëshoi disa goditje klasike duke planifikuar një ndeshje sipas llogarive që ai kishte bërë.

Boksieri filipinas arriti t’i ngrohte dorezat në raundin e katërt, ndërsa në të pestin Mayweather fitoi pozicionin dominues. Në gjysmën e ndeshjes amerikani kishte ruajtur më shumë energji dhe strategjia e tij duket se funksionoi pasi Pacquiao kërkoi të cante murin e ndërtuar nga duart e kundërshtarit por në raste të rralla arriti t’i turbullonte mendimet.

Pac Man mori qendrën e ringut po tashmë ishte vonë sepse Mayweather arriti të bënte një mbrojtje perfekte duke zhvilluar një nga ndeshjet ndoshta më taktike të karrierës së tij.

Amerikani është dominues në statistika me 435 goditje ndaj 429 të kundërshtarit dhe 148 goditje në shenjë ndaj 81 të Pacquaiaos. Në favor të filipinasit shkojnë vetëm goditjet e forta 236-168. Një strategji fituese që e mban Floyd Mayweather jr në majën e boksit botëror.

Është pikërisht ai fituesi i ndeshjes së shekullit që theu çdo rekord me arkëtime të çmendura që kapën vlerën 300 milionë dollarëve, ndërsa bota mbajti frymën për të shijuar 12 raunde që e kanë ndryshuar përgjithmonë historinë e këtij sporti. Pas ndeshjes Mayweather-Paqcuaiqo boksi nuk do të jetë më i njëjtë, sepse boksi tashmë është sporti i rekordeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat