Fare s’e shqetëson Fiorentina

Sporti

Fare s’e shqetëson Fiorentina

Më: 28 prill 2015 Në ora: 16:53

Juventusi është shumë i qetë dhe me fitoren kundër Fiorentinës matematikisht do ta sigurojë titullin e katërt radhazi në Serie A. Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, është i bindur në fitore dhe në fakt do të kremtojnë edhe titullin e 31-të në Itali!

Ndeshja luhet nesër në orën 20.45, e vlefshme e javës së 33-të në Serie A. Allegri kërkon angazhim e përqendrim maksimal nga djelmoshat e tij. “A do të shpallemi kampion ndaj Fiorentinës? Kjo gjë nuk varet vetëm nga ne. Të luash kundër vjollcëve është gjithmonë e vështirë.

Ne duhet të përmirësohemi nga njëra ndeshje në tjetrën, sepse fitoret të ndihmojnë t’i përballosh më mirë impenjimet e ardhshme që do të kemi në Champions League dhe Kupën e Italisë. Është e vërtetë që në tri ndeshjet e fundit kemi humbur dy prej tyre, prandaj ne do të përpiqemi me çdo kusht ta ndryshojmë këtë trend negativ në sfidat e ardhshme”, tha Allegri.

Sipas tij, sulmuesi Carloz Tevez ka gjasa të luajë titullar. “Tevez është mirë dhe sipas të gjitha gjasave do të luajë që nga minuta e parë. Nuk kam vendosur ende për formacionin që do të zbresë në fushë ndaj vjollcëve në Juventus Stadium. E vetmja gjë e sigurt është që Bonucci nuk do të luajë pasi është i shkualifikuar”, tha Allegri, që javën e ardhshme takohet me Realin në Champions League.

“Kemi përpara një ndeshje shumë të vështirë dhe vëmendja jonë është e gjitha te Fiorentina. Do të vijë momenti që do të mendojmë edhe për Real Madridi”, ka thënë Allegri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat