NBA: Dallas shpreson ende, Cleveland dhe Washington kualifikohen

Sporti

NBA: Dallas shpreson ende, Cleveland dhe Washington kualifikohen

Më: 27 prill 2015 Në ora: 09:45

Dallas Mavericks mban gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në gjysëmfinalet e Konferencës së Perëndimit në Nba.
Formacioni i drejtuar nga trajneri Rick Carlisle kaloi me rezultatin 121-109 Houston Rockets duke e çuar në 1-3 serinë e sfidave play-off ndërmjet tyre. Monta Ellis me 31 pikë 6 kërcime dhe 3 asiste rezultoi basketbollisti më i mirë mbi parket, ndërkohë që Houstonit për të evituar këtë disfatë nuk i mjaftoi paraqitja pozitive e dyshes James Harden-Josh Smith. Të dy basketbollistët e Rockets sëbashku 47 pikë, 11 rebound dhe 8 asiste.

Surprizën e vërtetë të mbrëmjes në sfidat play-off e dhuroi Los Angeles Clippers. Skuadra kaliforniane triumfoi brenda në Texas përballë kampionëve në fuqi të San Antonio Spurs me rezultatin 114-105 duke barazuar serinë e çerekfinaleve në 2-2.

Një Chris Paul në versionin e tij më të mirë ishte ai që udhëhoqi LA Clippers drejt këtij suksesi shumë të rëndësishëm. Me 34 pikë 7 asiste dhe 3 kërcime ylli i kalifornianëve rezultoi basketbollisti më i mirë mbi parket.

Një ndeshje spektakolare u zhvillua edhe në Masachusets ku Cleveland Cavaliers siguroi kualifikimin për në gjysëmfinalet e Konferencës së Lindjes pasi mposhti edhe në takimin e 4-t me shifrat 101-93 Boston Celtics.

Të njëjtën gjë si Clevelandi bëri edhe Washingtoni. Wizards treguan gjithë potencialin e tyre edhe në sfidën e 4-t play-off përballë Toronto Raptors duke fituar 125-94, për të likujduar kandezët dhe për ti dërguar në shtëpi me një 4-0 të pastër. Tashmë Washingtoni është në gjysmëfinalet e Lindjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat