Magani: Laçi i fortë, fituam me fanellë

Sporti

Magani: Laçi i fortë, fituam me fanellë

Më: 26 prill 2015 Në ora: 22:07

Një finale e fituar që mban gjallë shpresat e Tiranës për titullin. Bardheblutë derdhën djersë deri në minutat e fundit për të marrë pikët e plota nga përballja me Laçin. Ja si e komenton trajneri Gugash Magani testin e vështirë me kurbinasit në Qemal Stafa.

“Ishte ngërç psikologjik. Patëm shumë raste. Kam besuar deri në fund te lojtarët, duke parë adrenalinën e tyre. Skuadra luajti me qetësi dhe qarkulloi topin. Në pjesën e dytë ndryshuam modulin sepse nuk kishim çfarë të humbisnim. Pa fitore, dilnim nga gara per titullin”.

Ishte fitore e vuajtur për Tiranën, megjithatë për Maganin nuk ka asnjë dyshim se djemtë e tij e merituan atë.

“Tirana ka fanellë të rëndë. Skuadra si Tirana e kthejnë rezultatin. Fituam me meritë. Kundërshtari kishte vetëm një rast, ndërsa ne e goditëm shtyllën 3 herë. Mbrojtja e Laçit na ka hapur gjithmonë shumë punë”.

Nga ana tjetër, trajneri i Laçit ia faturon këtë rezultat mungesave të shumta, por pa i nënvlerësuar aftësitë e kundërshtarit. Armando Cungu foli gjithashtu edhe për objektivat e Laçit në vijim.

“Me 6 mungesa, kundër Tiranës nuk ishte aspak e lehtë. Kampionati duket i largët. Dua të fitoj çdo sfidë, do të preferoja luftën deri në fund. Mbeten edhe 12 pikë, pse të mos besojmë”?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat