Josa: Fitore e merituar. Shaqiri: Objektiv Kupa

Sporti

Josa: Fitore e merituar. Shaqiri: Objektiv Kupa

Më: 26 prill 2015 Në ora: 21:21

Suksesi përballë një rivali të fortë e direkt si Kukësi, për më tepër në shtëpinë e tij e bën të vështirë për Mirel Josën që të fshehë emocionet. Për trajnerin e Skëndërbeut, edhe barazimi mund të ishte i pranueshëm, por duke analizuar lojën e kundërshtarit, Josa këmbëngul se fitorja ishte detyrim.

“Ishte fitore e rëndësishme për ne. Kemi parasysh që vinim në Kukës për dy rezultate. Bëmë një vendosje tjetër të skuadrës, duke patur parasysh lodhjen e ndeshjeve të Kupës. Skuadra u shpreh mirë, ishim racionalë në qarkullimin e topit. 1 pikë sot, me lojën e Kukësit nuk do të ishte sukses”.

Nëse për Josën, Skënderbeu nuk mund të konsiderohet ende kampion, më pak diplomat është kapiteni Bledi Shkëmbi, për të cilin korçarët janë pa diskutim më të mirët.

“Ishte ndeshje në momentin më të vështirë, ndoshta më e rëndësishmja deri në fund. Mendoj që bëmë ndeshje të mirë. Arritëm atë që dëshironim dhe treguam se jemi më të mirët. Veten e kemi ndjerë kampionë nga ndeshja e parë deri më sot”.

Siç tha edhe Mirel Josa, gjithçka mund të ndodhë deri në fund, por Artim Shaqiri e ka të vështirë të besojë te mrekullia për Kukësin e tij, me fokusin që përpiqet ta kalojë te finalja e Kupës.

“Ndeshja mbaroi, gjithçka duhet të ndodhte para fundit që mos të humbisnim. E humbëm nga një gabim, e nisëm keq ndeshjen. Kartoni i kuq na dëmtoi shumë, pastaj erdhi edhe goli. E vërtetë që Skënderbeu luajti me taktikë tjetër, mbrohet më shumë. Në pjesen e parë kishim mundësi. Tani kemi finalen, të përgatitemi për atë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat