Flamurtari, talenti i radhës Dejvi Bregu

Sporti

Flamurtari, talenti i radhës Dejvi Bregu

Më: 26 prill 2015 Në ora: 21:04

Pas Odise Roshit një yll i ri po lind në Vlorë. Ai është Dejvi Bregu i cili me paraqitjet e tij fantastike në sfidat e fundit po e bën më pak të dhimbshëm këtë sezon totalisht të dështuar për Flamurtarin. Ndaj Elbasanit Bregu edhe pse nuk ka mbushur ende 20-vjec la edhe njëherë tjetër shenjën e tij duke ndihmuar Flamurtarin të rikthehej te fitorja në kampionat pas plot 8 ndeshjesh, madje suksesin e fundit në Superiore vlonjatat e kishin siguruar në fazën e tretë pikërisht ndaj Elbasanit. Për Dejvi Bregun ai ndaj verdhebluve ishte goli i tretë në 4 ndeshjet e fundit me fanellën e Flamurtarit, dhe 19-vjecari vlonjat tashmë mund të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës basti i fituar i drejtuesve të Flamurtarit në këtë sezon të vështirë. Largimet e Gilman Likës dhe Gjergji Muzakës në merkaton e Janarit por edhe afrimet e lojtarëve si serbi Nikolic apo edhe Albin Hoxha e Lorik Maxhuni që nuk kanë dhënë asgjë deri tani për Flamurtarin i parqitën shansin Dejvi Bregut të aktivizohej si titullar në sfidat e fundit, këtë gjë e shfrytëzoi mësëmiri mesfushori me tipare sulmuese i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë futbollisti nga i cili do të nisë projekti i ri i drejtuesve të Flamurtarit për rindërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Bregu ka filluar tu kujtojë tifozëve vlonjatë Odise Roshin i cili la një shenjë jo të vogël në qytetin bregdetar përpara se të transferohej në Gjermani te Kolni. Golin e parë me fanellën e Flamurtarit 19-vjecari e realizoi në sfidën e 4 Prillit ndaj Tiranës duke barazuar përkohësisht shifrat e atij takimi në 1-1. Ai nuk u ndal me kaq dhe një javë më vonë shënoi golin e vetëm të Flamurtarit në humbjen 2-1 ndaj Apolonisë në Loni Papuciu. Edhe ndaj Vllaznisë Dejvi Bregu bëri një paraqitje fantastike për të ardhur te goli i fundit ndaj Elbasanit. Në një sezon totalisht të dështuar shpërthimi i 19-vjecarit është kënaqësia e vetme për tifozët vlonjatë. Flamurtari shpeshherë në ka mësuar se di të prodhojë talente dhe Dejvi Bregu është ai i radhës që e bën ambientin kuqezi të besojë te nisja e cikli të ri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat