Skënderbeu lë Kukësin jashtë garës për titull!

Sporti

Skënderbeu lë Kukësin jashtë garës për titull!

Më: 26 prill 2015 Në ora: 19:16

Skuadra e futbollit Kukësi është mposhtur në derbin kryesor me rezultat 1:0 nga kampioni në fuqi, Skënderbeu nga Korça, në ndeshjen e javës së 32-të të Kampionatit të Shqipërisë. Kukësi e nxori Skënderbeun jashtë Kupe, ndërsa Skënderbeu e nxjerr Kukësin jashtë garës për titullin.

Një gol i Sabiel Lilajt i dha fitoren kampionëve në fuqi, që lënë 6 pikë mbrapa rivalët verilindorë duke i mundur për herë të parë në histori në kampionat brenda në fushën e tyre. Dalja me të kuq e Smajlit në pjesën e dytë kushtëzoi lojën e formacionit të Shaqirit, që në inferioritet nuk arriti të ruante barazimin dhe për shkak të Berishës, që në fakt ishte futbollisti kryesor i korçarëve në këtë 90 minutësh. Tensioni i një ndeshje direkte për titullin dhe i rezultatit u ndje që në minutën e parë, me lojtarët që patën një moment nervozizmi mes tyre, i cili gjithsesi kaloi shpejt duke ja lënë vendin futbollit, me Radasin që në të 3-tën për pak sa nuk gjeti epërsinë me një goditje me efekt që u largua nga Stazhilla.

Pit që ishte një ndër më të mirët për verilindorët në të 37-tën udhëhoqi vetë një aksion personal por goditja e fortë përfundoi jashtë. Pjesa e dytë nisi sërish e barabartë me ekuilibrin që u prish vetëm në të 61-tën, kur Smajli mori kartonin e dytë të verdhë duke lënë me 10 vetë Kukësin. Vetëm 3 minuta i mjaftuan Skënderbeut për të shfrytëzuar epërsinë numerike në fushë, me Berishën, që pasi nxori jashtë loje Smajlin, hyri mirë ë zonë duke pasur për Lilajn golin e fitores.

Mundësinë e fundit Kukësi e shpërdoroi në minutën e 93-të, mos konkretizimi i së cilës pothuajse largon nga gara për titullin verilindorët duke i dhënë një fitore tejet të rëndësishme Skënderbeut që e sheh gjithmonë e më shumë veten lider të Superiores.

Liga e Shqipërisë

Kukësi-Skënderbeu 0:1
Flamurtari-Elbasani 2:1
Apolonia-Vllaznia 2:0
Teuta-Partizani 0:1
Tabela
1. Skënderbeu 32 21 6 5 69
2. Tirana 31 19 6 6 63
3. Partizani 32 19 6 7 63
4. Kukësi 32 19 6 7 63
5. Laçi 31 16 9 6 58
6. Flamurtari 32 10 8 14 38
7. Vllaznia 32 11 4 17 34
8. Teuta 32 8 2 22 26
9. Apolonia 32 6 4 22 22
10. Elbasani 32 4 1 27 13

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat