Objektivi mbijetesë, Apolonia kalon Vllazninë

Sporti

Objektivi mbijetesë, Apolonia kalon Vllazninë

Më: 25 prill 2015 Në ora: 19:14

Në Fier, Apolonia derdhi djersë por arriti të marrë 3 pikë të arta në një nga finalet e para të këtij fundsezoni, duke triumfuar 2-0 përballë Vllaznisë, një fitore që ishte detyrim për qëndrimin në Superiore. Shkodranët pa asnjë objektiv ishin më të qetë në lojën e tyre kundrejt fierakëve që gjatë gjithë javës ishin përgatitur për të marrë maksimumin në tapetin e gjelbër të shtëpisë.

Pas një pjese të parë thuajse të ekuilibruar dhe me rrjeta të paprekura, në Loni Papuçiu ishin vendasit që e kërkuan më shumë golin, por pa sukses, ashtu si edhe skuadra e Zmijanit që nga ana tjetër nuk mundi të kërcënonte sa duhej në portën e Apolonisë. Në pjesën e dytë, ishte Rajkoviç që iu afrua shumë golit të avantazhit, ku mjaftonte vetëm nje prekje për ta çuar topin në rrjetë. Gjithsesi gabimin e serbit ishte Dimo që e korrigjoi me një super predhë që e lëshoi nga distanca drejt e në trekëndëshin e portës së Sherrit, duke kaluar kështu fierakët në avantazh. Vllaznia përpiqet të reagojë në vazhdim, por duket se e ka të vështirë ta çojë topin prapa krahëve të Miços. Kur dukej se çdo gjë kishte mbaruar, 3 minuta para fundit, gardiani i kuqebluve shkakton një faull dhe për gjyqtarin nuk ka vend për diskutime.

Karton i verdhë për Sherrin dhe penallti në favor të vendasve. Para portës vendoset Ribaj që nuk gabon dhe dyfishon rezultatin me fierakët që tashmë e kanë fitoren në kasafortë. Festa në fund është e tëra për ta dhe me të drejtë, sepse kanë marrë 3 pikë, që e bëjnë mbijetesën të arritshme, falë edhe disfatës së Teutës ndaj Partizanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat