Neymar dhe Messi, derbi është i Barcelonës

Sporti

Neymar dhe Messi, derbi është i Barcelonës

Më: 25 prill 2015 Në ora: 18:05

Vals blaugrana në Cornellà-El Prat. Barcelona ishte dominuese absolute, duke triumfuar bindshëm në shifrat 2-0 përballë Espanyolit në derbin e Katalunjës. Tredhëmbëshi Messi-Suarez-Neymar që nga minuta e parë u shfaq i rrezikshëm me kombinime të shpejta e precize përballë një mbrojtje që çalonte, duke lënë hapësira për skuadrën e Enriques. Me lojën e tyre në kufijtë e perfektes, katalanasit vendosën një rekord më vete për këtë sezon, duke kombinuar një zinxhir prej 25 pasimesh të njëpasnjëshme. I tillë ishte edhe ky aksion që zanafillën e kishte nga këmbët e Messit dhe u konkretizua në fund nga Neymar. Braziliani firmosi 1-0 që në minutën e 17-të dhe vetëm pak minuta më vonë është Iniesta që shërben me një pasim perfekt për Suarez. Uruguiani asiston për Messin dhe argjentinasi nuk fal. Edhe në 45 minutat e dyta, Barça vijon të jetë superiore me gardianin Casillas që duhet të qëndrojë vigjilent në çdo sekondë. Në minutën e 54, takimi mori një kthesë në favor të vendasve me Jordi Alban që u ndëshkua me të kuq për protestë ndaj arbitrit, por që gjithsesi nuk ndikoi shumë në lojën e blaugranave. Skuadra e Luis Enrique vazhdoi e qetë administrimin e takimit, duke u larguar në fund nga Cornella El Prat me 3 pikë, që e mbajnë të shkëputur përpara Realit në krye të tabelës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat