Ibrahimi e Partizani nuk dorëzohen

Sporti

Ibrahimi e Partizani nuk dorëzohen

Më: 21 prill 2015 Në ora: 16:20

Partizani nga Tirana është në vend ë katërt me 60 pikë dhe ngec për gjashtë pikë nga kryesuesi, Skënderbeu nga Korça. Barazimi ndaj Kukësit ka larguar Partizanin nga kreu i klasifikimit, duke ulur shpresat e të kuqve për të rikthyer titullin i cili mungon që nga viti 1993. 15 herë kampionët synojnë fitore në takimet e mbetura në Kampionatin Shqiptar të futbollit. Megjithatë, duket që shpresat edhe pse janë zbehur nuk janë zhdukur përfundimisht tek të kuqtë në luftë për titull, çka konfirmohet nga mbrojtësi Labinot Ibrahimi.

“Sa të na lejojë matematika ne do të shpresojmë dhe të japim maksimumin. Nuk do të dorëzohemi deri në fund. Shpresojmë të arrijmë qëllimin për të luajtur në kupat e Evropës. Çdo hap fals na largon nga ky objektiv”, tha Ibrahimi. Fundjava rezervon një udhëtim të vështirë në Niko Dovana të Durrësit ndaj Teutës. Djemtë e Detit luajnë për të siguruar mbijetesën dhe një kundërshtar i tillë nuk është aspak komod.

Ibrahimi lëshon apelin për skuadrën dhe tifozët, duke u shfaqur optimist për rikthimin tek fitorja. “Është një udhëtim i vështirë pasi Teuta nuk ka çfarë të humbasë. Kam besim tek ekipi dhe me ndihmën e tifozëve do të marrim tre pikët”, tha Ibrahimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat