Krerët e Sigal Prishtinës në një konferencë për shtyp kanë bërë të ditur detajet e ndeshjes së parë finale të Ligës Ballkanike kundër Rilskit të Bullgarisë, takim ky që luhet nesër mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në 18 :30.
Kampionja e Kosovës në fuqi, luan për herë të parë në finalen e Ligës Ballkanike dhe prishtinasit janë në rrugë të mirë që të shkruajnë historinë e re të basketbollit.
Drejtuesit e bardh e kaltërve në konferencën për media, thanë se gjithçka është gati për këtë ndeshje të madhe e cila pritet të mbush palestrën si asnjëherë më parë.
Florian Miftari tregoi për çmimet dhe tha se do mundohen që në të ardhmen të rrisin kapacitetet për pjesëmarrje sa më të madhe.
Kryetari i klubit Blerand Stavileci tha se objektivi i Sigal Prishtinës që të fitojnë këtë ndeshje të rëndësishme për basketbollin e Kosovës.
“Kemi premtuar që basketbolli i Prishtinës në përgjithësi Prishtina dhe Kosova do të iu mundësojmë që të mburren me modelin e organizimit por edhe të performancës sportive që do ta ketë klubi i basketbollit Sigal Prishtina, pra në një hark kohor prej 2 vitesh ne tashmë jemi finalist. Edhe atëherë kur kemi parashikuar Ligën Ballkanike kemi thënë se synojmë të jemi në vitin e parë në mesin e gjahstë më të mirave kemi hyrë ne finale-four kemi pësuar humbje në gjysme finale ndërkaq sivjet kemi shkuar edhe një hap më tutje duke u plasuar në finale të kësaj lige që do të thotë se minimumi epitetin e nën kampionit e kemi”, tha Stavileci.
Ndërkaq trajneri i Sigal Prishtinës Marian Ilievski ka thënë se qëllimi i tij dhe klubit është fitorja në Ligën Ballkanike.
Madje trajneri nga Maqedonia ka theksuar se është i lumtur që është pjesë e këtij klubi.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj familjeje, sepse bashkë e kemi ndërtuar këtë shpirt sportiv qe sa muaj. Jam shumë kënaqur që jam trajner i këtij ekipi, i cili ka ardhur deri në finalen e Ligës Ballkanike”, tha Ilievski.
Ilievski ka thënë se djemtë e Sigal-it janë të motivuar dhe të përgatitur për ta fituar këtë ndeshje.
“Ne jemi të vetëdijshëm se me shumë punë kemi arritur deri këtu,. Çdo herë unë dhe lojtarët e mi mendojmë vetëm për fitore dhe jo për humbje. Edhe nesër do të mundohemi që të realizojmë projektin e klubit tonë”, tha Ilievski.
Në konferencë kanë folur edhe kryetari i Plisave Albert Kastrati i cili nuk ka shpalosur planet e tifozërisë për ndeshjen e nesërme.
Edhe basketbollisti Edmond Azemi ka thënë se nesër do të dëshmojnë se Prishtina është ekipi më i mirë. Ai është optimist se së bashku edhe me përkrahjen e tifozëve nesër ndaj Rilskit do të triumfojnë.