Barazim në derbin Inter-Milan, arbitri mohon golat

Sporti

Barazim në derbin Inter-Milan, arbitri mohon golat

Më: 19 prill 2015 Në ora: 22:55

“Krizë” goli në derbi, me Interin e Milanin që barazuan 0-0 mes tyre në sfidën ndërqytetase, ku nuk arritën t’i japin një goditje as krizës së tyre, dhe për shkak të vendimeve të kryesorit Banti, që anulloi nga një gol për secilën skuadër. Një pikë që i rri ngushtë mbi të gjitha Interit, që dominoi në lojë por jo në rezultat duke e parë sërish Milanin përpara në renditje.

Në “San Siro” koreografia e dy tifozerive ishin si zakonisht fantastike dhe loja në fillimin e ndeshjes u duk sikur qëndronte në të njëjtin nivel me to, me Interin që provoi i pari me Hernanesin (11) por gjeti në rrugën drejt rrjetës Diego Lopezin. Milani u përgjigj me një shpërthim të Menezit (14), pasimi i të cilit u largua në mes të zonës nga Juan Jesus. Dy skuadrat ranë në heshtje deri në të 29-tën, kur Alex dërgoi topin në rrjetë, por gjyqtari e vlerësoi në pozicion jashtë loje.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërkohë që nga dhomat e zhveshjes Interi doli më i karikuar duke dominuar pjesën e dytë. Në të 57-tën, Palacio u ndal para goditjes së fundit, ndërsa në të 64-trën një prekje e topit me dorë nga Antoneli brenda në zonë pas goditjes së Hernanes, të cilin Banti e vlerësoi të pavullnetshëm. Milani u duk sikur u shuajt me kalimin e minutave, dhe në të 68-te, Palacio shërbeu sërish Icardin, por Diego Lopez priti. Banti u bë dhe njëherë tjetër protagonist në të 72-tën, kur Interi arriti të shënojë pas një autogoli të Mexes, por goli sërish u anullua.

Arsyeja? Një faull i Palacios në momentin e hyrjes në zonë. Dëshira e Interit për golin erdhi në rritje, por në të 77-tën, Diego Lopez ndali sërish Juan Jesusin duke dërguar topin në goditje këndi. Pritjen e ndeshjes Diego Lopez e bëri në zhvillimet e këndores, teksa Palacio nga dy metra devijoi në portë, por portieri i Milanit ishte me fat kur e pa topin t’i përplasej në trup.

Fati nuk ishte me Interin as në minutën e 90-të, kur Icardi kontrolloi në mënyrë perfekte një top përpara se të shikonte goditjen e tij të përplasej dhe njëherë tjetër në tabelat publicitare. 0-0 ishte rezultati përfundimtar, me derbin që nuk pati fitues, ashtu si në fazën e parë, vetëm se këtë herë i mungoi dhe goli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat