Barleti, kampione e Shqipërisë në Volejboll

Sporti

Barleti, kampione e Shqipërisë në Volejboll

Më: 18 prill 2015 Në ora: 22:19

Barleti Volej shpallet për të dytin vit radhazi kampione e Shqipërisë. Në fund të finales së tretë të Play-Off-it të titullit festa ishte e tëra për vajzat e skuadrës së drejtuar nga trajneri Hasan Gurabardhi që ashtu si në dy takimet e mëparshme dominuan 3-0 edhe në përballjen e fundit rivalet e Tiranës. Historia e finaleve flet qartë të treja takimet të fituara nga Barleti Volej që nuk humbi asnjë set në Play-Off-in e titullit duke konfirmuar superioritetin me një tjetër sezon të jashtëzakonshëm për vajzat e skuadrës universitare.

Edhe në takimin e fundit në “Asllan Rusi”, Barleti Volej vuri në dukje diferencat mes dy skuadrave. Tirana e filloi setin e parë në epërsi me skuadrën e trajnerit Ardian Gorenca që komandonte 16-12 por pikërisht aty nisi kthesa e Barleti Volej që përmbysi gjithcka duke marrë avantazhin deri në 22-21 ku gjithcka ishte ende e hapur dhe duke përfituar nga mungesa e forcës së vajzave bardheblu në sulm, universitaret shënuar 3 pikë radhazi për ta fituar setin në 25-21.

Seti i dytë rrezikoi të shndërrohej në një makth për Tiranën që humbi entuziazmin dhe pa veten të fundosej gjithnjë e më thellë me Barletin që shkoi deri në avantazhin 20-6. Në atë pikë për Tiranën nuk bëhej më fjalë për të fituar setin por thjesht për ta mbyllur atë me pak më tepër dinjitet, dicka që në fund të fundit skuadra e Gorenca e arriti duke shënuar disa pikë radhazi, me Barleti Volej që e fitoi setin me një rezultat më të pranueshëm, por gjithsesi të thellë 25-14.

Në setin e tretë u rikthye sërish rivaliteti me Tiranën që u përpoq të reagonte në shansin e saj të fundit, por Barleti Volej ishte gjithmonë në avantazh edhe pse jo me diferencë të thellë dhe e mbylli takimin me rezultatin 25-21, për të siguruar titullin e dytë në historinë e klubit. Festa është e tëra për skuadrën e Hasan Guarabardhit ku pavarësisht vlerave të individeve në fund triumfon gjithnjë forca e grupit, për të mbyllur në mënyrën më të mirë një sezon që i pa vajzat e Barleti Volej të fitonin gjithcka ishte në lojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat