Vllaznia dhe Flamurtari ndajnë nga një pikë në “Loro Borici”

Sporti

Vllaznia dhe Flamurtari ndajnë nga një pikë në “Loro Borici”

Më: 18 prill 2015 Në ora: 22:18

Përfundoi në barazim 1-1 sfida mes Vllaznisë dhe Flamurtarit në Loro Borici, që mund të jetë takimi i fundit në këtë impiant, i cili do t’i nënshtrohet rikonstruksionit për të qenë gati ndoshta edhe për eliminatoren me Serbinë që do të zhvillohet më 8 tetor. Golat u shënuan një në cdo pjesë, me Vllazninë që nuk mundi të përfitonte në fraksionin e dytë për të fituar me përmbysje pas ndëshkimit me karton të kuq të Bruno Telushit. Flamurtarit edhe pse vinte me mungesa të rëndësishme në formacion, u shfaq më agresiv në fillim të sfidës, teksa rrezikoi në minutën e 3-të me një goditje të fuqishme të Telushit, që u neutralizua nga Sherri. Në minutën 12 vlonjatët shfrytëzuan pasigurinë në mbrojtje të shkodranëve, duke kaluar në avantazh me Arsid Krujën, i cili hezitoi të festonte para publikut shkodran, që e ka duartrokitur pambarimisht kur mbronte ngjyrat e skuadrës së vendlindjes së tij.

Pjesa e parë u mbyll me një goditje të fuqishme nga distanca të Shtubinës, që gjeti në pozicion Likën. Vllaznia ishte më kërkuese në pjesën e dytë dhe gjithcka u kthye në favorin e kuqebluve me daljen me ndëshkimin me karton të kuq të Bruno Telushit.

Pikërisht pas këtij momenti Gilman Lika tregoi klasin e tij me një finalizimin spektakolar nga goditja e lirë, që e gjeti të papërgatitur Ilion Likën. Formacioni Luan Zmijanit besoi se mund ta fitonte sfidën, madje iu afrua disa herë golit vecanërisht me Shtubinën, por rezultati mbeti i pandryshuar edhe pas 5 minutave shtesë të akorduara nga kryesori.

Flamurtari me këtë barazim i dha fund serisë prej 7 humbjeve radhazi në kampionat, ndërsa Vllaznia kjo pikë i jep siguri edhe matematikisht për mbijetesë, që praktikisht është një objektiv i arritur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat