Paqja “vret” Partizanin dhe Kukësin

Sporti

Paqja “vret” Partizanin dhe Kukësin

Më: 18 prill 2015 Në ora: 22:18

Në Qemal Stafa, fitojnë Skënderbeu e ndoshta edhe Tirana. Përfundon në barazim 1-1 kryesfida mes Kukësit dhe Partizanit që me këtë rezultat i bëjnë nder rivalëve për titullin. Për skuadrën verilindore komplikohen ndjeshëm shanset për titullin ndërsa akomë më keq për Partizanin minimizohen në maksimum. Atmosferë spektakolare në Qemal Stafa për kryendeshjen e javës së 31, vendimtare për fatet e Partizanit dhe Kukësit, te të kuqtë rikthehej në mbrojtje Vrapi ndërsa para Fejzullahu, Nexhipi dhe Mazrekaj mbështesnin sulmuesin e vetëm Racic. Te Kukësi, Artim Shaqiri me Stazhillën në portë në vend të Halilajt prezantonte tredhëmbëshin me Lushtakun, Pejic dhe Ylli Hoxhën.

Ndeshje intensive dhe pretendim për penallti nga ana e Kukësit për kontaktin në minutën e 14 mes Ibrahimit dhe Ylli Hoxhës, por i pabazuar sipas kryesorit Lorenc Jemini. Minutat e para me Kukësin në sulm por pa mundur të godasë katërkëndëshin e Alban Hoxhës, ndërsa Partizani që i qëndronte besnik kujdesit në mbrojtje, skenar që shpërbleu skuadrën e Shpëtim Duros.

Partizani në avantazh në minutën e 26, me Stevan Racic, dalje e pasigurtë e Stazhillës në goditje këndi dhe serbi nuk është nga ata që falin kur i prezantohet një top i tillë në zonë, goditje me të majtën dhe goli i 14 për Racic në kampionat.

Avantazhi i të kuqve ndryshoi ritmin e lojës në minutën e 39 Jeferson u vonua në finalizim dhe Pejic nuk mund të përfitonte pasi ishte në pozicion jashtë loje. Pjesa e parë u mbyll me Partizanin në avantazh falë cinizmit dhe Kukësit e paaftë për të transformuar volumin në goditje.

Edhe e dyta filloi me Kukësin në sulm dhe në minutën e 59 Artim Shaqiri shtoi arsenalin ofensiv duke nxjerrë nga loja Zeqirin, një mesfushor për të futur një sulmues Vilfor Hysën. Ndryshim që i dha impakt lojës së Kukësit, pasi pas një tentative të Partizanit me Mazrekajn që bëri gjithcka mirë përvec finalizimit në të 69, erdhi dhe momenti vendimtar i takimit në minutën e 72. Pejic merr topin në pozicion të rregullt për t’u prezantuar para Alban Hoxhës, nuk arrin ta fitojë duelin por topi mbetet në lojë dhe ndërhyrja e Cuculit nga pas nuk lë vend për dyshime për Lorenc Jeminin. Penallti për Kukësin dhe Cuculi merr kartonin e dytë të verdhë duke lënë fushën. Gjithcka ndryshon, i lehtë të kuptohet presioni para një 11 metërshi të tillë por nga pika e bardhë Pejic nuk gabon duke lënë në tokë Hoxhën për golin e 1-1. Goli i 25 për kroatin, i pakapshëm në garën për Këpucën e Artë që me dedikimin tregon se ka shënuar në jetën private me topin poshtë bluzës që është një gjest i vështirë për t’u ngatërruar në kuptimin e tij.

Pejic kërkon edhe një tjetër 11 metërsh menjëherë më pas, por për Lorenc Jeminin dy janë shumë dhe loja vijon e ndezur me të dyja skuadrat që nuk e pranojnë barazimin. Partizani tenton nga distanca në të 88 por devijimi shpëton portën e Stazhillës, ndërsa në krahun tjetër Alban Hoxhës i duhet të bëjë Nojerin me Pejic që shmang Vrapin dhe lëshon një top të rrezikshëm në thellësi për Hysën. Barazimi edhe pse i padëshiruar në këtë mënyrë reziston deri në vërshëllimën e fundit të Jeminit. Në Korcë, Skënderbeu ka fituar dhe Kukësi gjendet 3 pikë larg kreut, llogaritë bëhen më ogurzeza për Partuzanin, të kuqtë tanimë janë 6 pikë larg kreut dhe vetëm një mrekulli nga ato që konstatohen shumë po shumë rrallë në futboll mund t’i ktheje në luftë për titullin kur mbeten edhe 5 javë për t’u luajtur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat