Apolonia e bën të vuajë Skënderbeun, por festojnë korcarët

Sporti

Apolonia e bën të vuajë Skënderbeun, por festojnë korcarët

Më: 18 prill 2015 Në ora: 22:17

Skënderbeu vuajti shumë për të marrë tri pikë me Apoloninë në një ndeshje të cmendur që u vendos nga një gol i Fatjon Sefës 6 minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, me korcarët që shfrytëzuan një moment hutimi të mbrojtjes fierake në zhvillimet e një goditjeje dënimi në një zonë shumë larg portës.

Formacioni i Artan Mërgjyshit bëri gjithcka në stadiumin Skënderbeu ku ndoshta meritonte të dilte me pikë, edhe pse kishte përballë skuadrën më të mirë të kampionatit, pikërisht kampionët në fuqi të Superiores. Që korcarët do ta kishin shumë të vështirë për të marrë fitoren kjo u dallua që në minutat e para, pasi Apolonia e vendosur mirë në gjysmëfushën e saj nuk i lejoi hapësira kundërshtarit, madje në dy raste të njëpasnjëshme në fund të këtij fraksioni për pak kaloi në avantazh fillimisht me Filin dhe më pas me Ribajn, duke vënë në panik mbrojtjen e Skënderbeut. Madje në rastin e Ribajt, Apolonia pretendon për një 11-metërsh. Pa u mbyllur pjesa e parë Josa u detyrua të hidhte në fushë Alikajn në vend të Nimagës, për arsye dëmtimi, ndërsa në pjesën e dytë zëvendësoi maqedonasin Stojkov me Latifin që i dha tjetër ritëm sulmit vendas. Pikërisht një depërtim i shpejtë i 21-vjecarit e detyroi portierin Mico të kryente një ndërhyrje të parregullt që për gjyqtarin ishte 11-metërsh. Por cuditërisht Bledi Shkëmbi nuk arriti ta mposhte portierin fierak.

Pas këtij momenti Skënderbeu u vu në presion dhe pavarësisht si i afrohej rrezikshëm zonës, gabonte në përmbylljen e aksioneve. Nga ana tjetër, Apolonia kundërzbriste me rrezikshëm, fale edhe talentit Fili, që gjithmonë shkaktonte panik në zonën korcare.

Në momentin më të mirë të fierakëve, Sefa, i hedhur në fushë në pjesën e dytë, përfitoi nga një shpërqendrim i mbrojtjes dhe i portierit të Apolonisë, duke zhbllokuar një sfidë që po mbyllej në barazim pa gola. Kjo fitorë e vuajtur i rrit kuotat e Skënderbeut për titullin kampion, pasi formacioni i Josës është i shkëputur 3 pikë si nga Tirana ashtu edhe nga Kukësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat