Duka: Vendimi mund të dalë pas një muaji

Sporti

Duka: Vendimi mund të dalë pas një muaji

Më: 17 prill 2015 Në ora: 21:36

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka tha sot për "Zërin e Amerikës" nga Lozana e Zvicrës se ka besim te Gjykata e Arbitrazhit Sportiv se do t’ia japë fitoren në tavolinë Shqipërisë, ndërsa u shpreh se vendimi mund të dojë edhe një muaj që të merret.

“Shqipëria duhet të marrë atë ndeshje në tavolinë, sepse ndeshja nuk është ndërprerë për arsye të ekipit shqiptar, por për arsye të mungesave organizative nga ekipi serb, për arsye të dhunës dhe racizmit të shprehur nga huliganë dhe tifozë në stadium”, tha zoti Duka.

Ai tha se ndeshja duhet të përfundojë me rezultat për Shqipërinë 3-0 dhe të hiqet masa e gjobës “pasi është federata serbe përgjegjëse për organizimin e ndeshjes”.

Në Lozanë dëshmuan sot përfaqësues të dy palëve përfshirë kapitenin Lorik Cana, trajnerin e kombëtares Gianni De Biasi, kapitenin e ekipit serb dhe një përfaqësues të sigurisë të stadiumit të Beogradit.

“Dhe nga dëshmitë e sotme është thënës e njëjta gjë, që ekipi shqiptarëve nuk ka refuzuar të rrijë në fushë. Ekipi shqiptar është dhunuar jo vetëm nga tifozët serbë dhe e ka pasur të pamundur të kthehet në fushën e lojës dhe nga ana tjetër nuk ka pasur asnjë urdhër të qartë nga arbitri. Edhe sikur të kishte një urdhër të tillë, ajo lojë nuk mund të vazhdonte sepse kishte rrezik për gjithë futbollistët shqiptarë”.

Federata Shqiptare e Futbollit ankimoi dy vendimet e UEFA-s lidhur me ndeshjen e 14 tetorit të shkuar mes Kombëtares serbe dhe shqiptare. UEFA i dha fitoren në tavolinë ekipit serb, të cilit, nga ana tjetër iu hoqën tre pikë, ndërsa dy ekipet u gjobitën me 100 mijë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat