Bach: KON do vazhdojë mbështetjen për avancimin e sportit në Kosovë

Sporti

Bach: KON do vazhdojë mbështetjen për avancimin e sportit në Kosovë

Më: 17 prill 2015 Në ora: 20:30

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim një delegacion të gjerë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), të udhëhequr nga kryetari i saj, Thomas Bach.

Mustafa e falënderoi kryetarin Bach për kontributin e tij për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar si dhe për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar, në përgjithësi.

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, dhe personalitete të tjera, kryeministri Isa Mustafa vlerësoi pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, duke theksuar se ky vendim ka rëndësi të posaçme për sportin dhe për rininë kosovare.

Kryeministri Mustafa e njoftoi kryetarin e KON-it edhe me përkrahjen e deritashme si dhe me hapat konkret që do të ndërmerren në vazhdim nga Qeveria e Kosovës, në krijimin e kushteve sa më të mira që sportistët kosovarë të arrijnë rezultate maksimale në garat sportive ndërkombëtare, ku do të marrin pjesë.

Kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, çmoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për avancimin e sportit në Kosovë, si dhe punën profesionale të Komitetit Olimpik të Kosovës në këtë drejtim.

Kryetari Bach po ashtu shprehu përkrahjen e mëtutjeshme të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për avancimin e sportit në Kosovë, duke iu uruar sukses sportistëve kosovarë në garat ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat