Madhështore, Prishtina ia bën ferr natën maqedonasve (Foto)

Sporti

Madhështore, Prishtina ia bën ferr natën maqedonasve (Foto)

Nga: Kemajl Goca Më: 1 prill 2015 Në ora: 21:16

Fitore madhështore e për mbamendje e Sigal Prishtinës. Prishtina shënoi fitore me shije të finales, me rezultat bindës 85:61 kundër ekipit Kozuv nga Gjevgjelia e Maqedonisë, në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Ligës Ballkanike në basketboll. Prishtina shkëlqeu në të gjitha repartet dhe ia bëri natën ferr maqedonasve.

Fund e krye Prishtina ishte si fortunë dhe i shkatërroi me lojë e rezultat maqedonasit. Basketbollistët e Sigal Prishtinës treguan angazhim maksimal, lojë të përsosur, mbrojtje të fortë dhe e cila rezultoi me dominim të plotë.

Në 20 minutat e parë, kampioni i Kosovës ishte në formë të lartë në krye me basketbollistin Edin Bavçiç, i ndihmuar edhe nga Dardan Berisha, iu mbajtën leksion kundërshtarit. Mbi 2500 shikues në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit, krijuan atmosferë për lakmi, i dhanë shije ashtu si i ka hije kësaj ngjarje të madhe.

Të pranishëm ishin edhe drejtori i Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) për Evropë, Kamil Novak dhe përfaqësuesi i sekretarit të përgjithshëm të FIBA-s për Kosovën e njëherësh edhe drejtor sportiv i FIBA-s, Lubomir Kotleba.

Në çerekun e parë, Prishtina luajti gjithnjë e më mirë dhe si pasqyrë e kësaj edhe krijoi epërsi deri në 12 pikë (24:12). Në çerekun e radhës, mysafirët përpiqen të janë më të denjë, por assesi që ta ngushtojnë humbjen, pasi që vendasit ishin shumë të vemendshëm në çdo veprim dhe ngritën epërsinë në 16 pikë (41:25) në minutën e 20-të.

Çereku i tretë ishte në shenjë të plotë të prishtinasve, ngase ishin të shpejt e të pandalshëm për Kozuvin. Në minutën e 28-të bardhekaltrit udhëheqin edhe me 31 pikë (66:35) dhe kësisoj gjithçka ishte e fundosur për mysafirët.

Tifozët "Plisat" me brohoritje e këngë bënë atmosferë të zjarrtë të stilit brazilian. Djelmoshat e Prishtinës luftuan si trima të vërtet për çdo top dhe ishin shumë të saktë. Mysafirët nuk kishin asnjë zgjidhje se si ta ndaloni lokomotivën e Prishtinës, e cila sundoi pa asnjë problem me dyshen e përsosur Bavçiç që shënoi 25 pikë e Berisha 17. Në minutën e 30-të, një rezultat fantastik dhe bindës 70:39 për Prishtinën. Në anën tjetër iu treguan drejtuesve të FIBA-s se edhe në Kosovë luhet basketboll i fortë dhe i bukur e kanë forcë për fitore të thella.

Trajneri i Prishtinës, Marjan Ilievski, është tejet i ngazyllyer me lojtarët e tij për këtë super fitore (85:61) dhe presin edhe ndeshjen e kthimit në Gjevgjeli për të marshuar në finalen e madhe. Prishtina kurrë më afër finales historike. Të gjithë dhanë maksimumin, nuk ia lanë rastit asgjë dhe meritojnë notë dhjetëshe për angazhim e lojë cilësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat