Trimat e Pejës gjunjëzuan bullgarët, shumë afër finales

Sporti

Trimat e Pejës gjunjëzuan bullgarët, shumë afër finales

Nga: Kemajl Goca Më: 31 mars 2015 Në ora: 19:08

Peja bëri më të mirën në Samakov dhe e gjunjëzoi me rezultat 63:62 ekipin bullgarë, Rilski Sportisti, e cila ishte ndeshja e parë e gjysmëfinales së Ligës Ballkanike. Në palestrën ‘Arena’ në Samakov, pejanët bënë lojë të fortë sidomos në tre çerekët e fundit, ku treguan forcën reale të tyre.

Basketbollistët pejanë luftuan deri në të qindtën e fundit të sekondës dhe ia dolën të fitojnë sfidën e parë, ku tani presin ballafaqimin e kthimit me 7 prill në Pejë. Në çerekun e parë, pejanëve nuk iu shkoi ndoresh, ndërsa vendasit ishin për një nuancë më të mirë dhe në epërsi me 8 pikë (24:16) në minutën e 10-të. Në vazhdim thellohet epërsia në 13 pikë (36:23) pikërisht në minutën e 17-të për Rilskin, por në anën tjetër Peja mobilizohet dhe gradualisht kthehet në rezultat.

Basketbollistët Jozo Brkiç me 14 pikë, Alban Veseli (13), Janou Rubin (12) me bashkëlojtarë tjerë bënë lojë fantastike. Mbrojtja pejane ishte shumë e fortë dhe amortizoi lojën e Rilskit. Në minutën e 25-të rezultati ngushtohet në 43:37 dhe pas tre minutave barazohet (43:43).

Nga minuta e 28-të e deri në fund, u dëshmua lojë super e fortë, dhe pejanët ishin energjik, duke luftuar për çdo top dhe e cila ishte frytdhënëse. Në minutën e 31-të, Peja udhëheq me 51:49 dhe për të thelluar edhe në katër pikë (61:57) tre minuta pa mbaruar sfida. Çastet e fundit me emocione të mëdha, lojë e fortë, gabimi qoftë i njërës palë apo skuadrës tjetër do të ishte fatal.

Trimat pejanë ishin më të shkathët dhe fituan me rezultat 63:62. Një super fitore që i bën edhe më të qetë për takimin e kthimit dhe janë shumë afër finales historike në Ligën Ballkanike.
Rilski-Peja 62:63
(24:16, 15:11, 10:20, 13:16)
Palestra e sportit “Arena” në Samakov.
Gjyqtarë: M. Ciulin, A. Millojeviq, B. Podar.
Rilski Sportisti: Norfleet 9, Taylor 6, Bozov 13, Rakoçeviç 10, Z. Georgiev 11, Milov, Gugino 4, Ivanov, K. Georgiev, Kirov, Iliev 9 dhe Todorov.
Peja: Wise 8, Rugova 8, Rubin 12, Brkiç 14, Grapci, Veseli 13, Beqiri, Hajdari, Hajrizi 8, Nelson, Austin dhe Radoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat