De Biasi: Fitore e rëndësishme, Mavraj ka zemër të madhe

Sporti

De Biasi: Fitore e rëndësishme, Mavraj ka zemër të madhe

Më: 29 mars 2015 Në ora: 21:46

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Giovani De Biasi e ka vlerësuar si mjaft të rëndësishme fitoren e sotshme të Shqipërisë 2-1 ndaj Armenisë në rrugën drejt kualifikimit për në kampionatin Evropian “France 2016”.

Por De Biasi ka shtuar se shumë do të varet nga vendimi i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv në Lozane në 17 prill.

“ Nëse Kas do të na japë tre pikët do të mund të jemi më afër kampionatit evropian”, është shprehur tekniku De Biasi.

De Biasi është shprehur se sot shumë prej lojtarëve nuk ishin në formën e tyre më të mirë, por ai ka vlerësuar impenjimin e tyre.

Trajneri ka veçuar lojën e Mërgim Mavrajt, që “megjithëse ka pasur dëmtime dhe probleme të tjera familjare këtë javë sërish zhvilloi një ndeshje të madhe duke treguar se ka një zemër të madhe”.

De Biasi e ka cilësuar ndeshjen e sotme si një takim që ia vlen ta luash, duke theksuar së në ndeshje si këto ia vlen që lojtarët të japin maksimumin.

Ai tha se, “sot isha në Kishë, por dola shpejt se nuk më lanë kamerat. Patëm shumë shtylla dhe dukej se ishim pa fat. Jam shumë i lumtur nga kjo ndeshje. Sigurisht Armenia nuk ka emrin e Francës dhe Italisë por lojtarët treguan se e donin fitoren”.

“Për ne ishte primare fitorja por duhet të rimbushim bateritë për ndeshjet e ardhshme”, tha De Biasi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat