Malajzi, Vettel rikthen veten dhe Ferrarin te fitorja

Sporti

Malajzi, Vettel rikthen veten dhe Ferrarin te fitorja

Më: 29 mars 2015 Në ora: 11:17

Për herë të parë pas dy vitesh, një makinë Ferrari ka mundur të triumfojë në një Çmim të Madh të Formulës 1, këtë herë në Sepang të Malajzisë, ku gjermani katër herë kampion bote Sebastian Vettel ka kaluar vijën e “finish”-it përpara kampionit të botës në fuqi Hamilton.

Skuderia nga Maranello rikthehet kështu te triumfi i parë që prej garës së Spanjës në vitin 2013, ndërsa për pilotin gjerman kjo është fitorja e parë prej garës së Brazilit, në po të njëjtin vit, kur garonte me Red Bull-in.

Me këtë fitore të “kokëkuqes” thyhet edhe hegjemonia e Mercedes-it, që nuk ka lejuar asnjë garë pa dalë në krye, qoftë me Hamilton apo me Rosberg, prej vitit të kaluar e duke vijuar edhe me Çmimin e Madh të Australisë së këtij sezonit.

Britaniku Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg mbeten sërish në podium, pavarësisht problemeve me konsumimin e tepër të gomave gjatë garës, gjë që detyroi britanikun të humbiste vendin e parë të “pole position”-it. Menjëherë pas tyre përfundoi Kimi Raikkonen, një garë spektakolare për finlandezin, i cili e filloi garën nga fundi dhe e përfundoi vetëm një vend larg pordiumit.

Në 10 vendet e para u renditën Vettel, Hamilton, Rosberg, Raikkonen, Bottas, Massa, Verstappen, Sainz, Kvyat dhe Ricciardo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat