Tjetër lajm fantastik: Federata e Tenisit pranohet në Tennis Europa

Sporti

Tjetër lajm fantastik: Federata e Tenisit pranohet në Tennis Europa

Më: 28 mars 2015 Në ora: 16:48

Federata e Tenisit e Kosovës (FTK) është pranuar në Federatën Evropiane të Tenisit.
Lajmi është konfirmuar nga presidenti i Federatës së Tenisit të Kosovës (FTK), Shkëlzen Domi.

“Definitivisht Tenis Kosova është anëtari 50 i Tennis Europe me 50 vota PRO dhe 19 Kundër”, ka shkruar Domi në profilin e tij në Facebook.

Bordi i Federatës Evropiane të Tenisit kishte vendosur që aplikimi i Federatës së Tenisit të Kosovës me të drejta të plota të votohet nga delegatët e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate në Lozanë të Zvicrës që u mbajt gjatë këtyre ditëve.

Federata jonë e tenisit kishte dështuar të pranohej me të drejta të kufizuara në Federatën Evropiane të Tenisit në dy tentimet e mëhershme. Herën e parë në vitin 2013, në Tallin të Estonisë me 26 vota pro, 25 kundër dhe 11 abstenime nuk u arritën 2/3 e votave për pranim. Ndërsa në vitin 2014, në Sofje të Bullgarisë aplikimi më të drejta të kufizuara nuk u arrit për 2 vota të delegatëve përkundër 33 votave pro, 20 kundër dhe 15 abstenimeve.

Sidoqoftë, pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik ndërkombëtar u plotësua kushti për pranim më të drejta të plota edhe për Federatën e Tenisit të Kosovës dhe votimi në Lozanë ishte në favor të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat