Handanovic nis tratativat me Romën

Sporti

Handanovic nis tratativat me Romën

Më: 28 mars 2015 Në ora: 13:05

Bisedimet për zgjatjen e bashkëpunimit me zikalterit janë ndërprerë, pasi palët janë ende larg me pretendimet e tyre.

Samir Handanovic i hap dyert Romës. Portieri slloven është treguar i gatshëm për t'u transferuar te verdhekuqtë në përfundim të sezonit, që do të thotë se është vënë në dyshim serioz rinovimi i kontratës me Interin. Bisedimet për zgjatjen e bashkëpunimit me zikalterit janë ndërprerë, pasi palët janë ende larg me pretendimet e tyre. Handanovic ka kërkuar tre milionë euro në sezon, ndërsa aktualisht përfundon 2.2 milionë euro. Drejtuesit zikaltër nuk kanë ndërmend t'ia rrisin pagën, për të ruajtur bilancin në kuadër të "Fair-Play-t" financiar.

Nga kjo situatë kërkon të përfitojë Roma, që ka nisur kontaktet për ta bindur 30-vjecarin që të transferohet në kryeqytet. Handanovic pëlqehet shumë nga drejtori sportiv Sabatini, por edhe nga portieri 38-vjecar De Sanctis, i cili ka qenë shok skuadre me sllovenin kur të dy luanin te Udineze.

Portieri aktual i Romës në mënyrë konfidenciale është shprehur se në Itali mund të jetë zëvendësues vetëm i Buffon dhe i Handanovic, cka lë të kuptohet se bashkëjetesa mes të dyve te verdhekuqtë është krejtësisht e mundshme.

Për të arritur te Handanovic, Roma mund të përfshijë në marrëveshje edhe kartonin e Mattia Destros, që në përfundim të sezonit do të përfundojë periudhën e huazimit te Milani. Roma duhet të veprojë me shpejtësi dhe këmbëngulje, sepse për Handanovic ka interesim edhe nga Premier League, vecanërisht nga Manchester City.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat