Erjon Bogdani: Besoj te fitorja ndaj Armenisë

Sporti

Erjon Bogdani: Besoj te fitorja ndaj Armenisë

Më: 28 mars 2015 Në ora: 09:34

Përpara përballjes së 29 marsit, Bogdani vizitoi përfaqësuesen gjatë grumbullimit të saj në "Tropikal" për të takuar ish kolegët e tij në përfaqësuese.

Në ndeshjen me Armeninë do të jetë e rëndësishme mbi të gjitha shënimi i një goli dhe askush tjetër më mirë se Erjon Bogdani, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për kuqezinjtë, nuk mund të japë këshilla për dërgimin e topit në rrjetë. Përpara përballjes së 29 marsit, Bogdani vizitoi përfaqësuesen gjatë grumbullimit të saj në "Tropikal" për të takuar ish kolegët e tij në përfaqësuese dhe pse jo dhe për të dhënë ndonjë këshillë për dërgimin e topit në rrjetë.

"Ishte një ftesë nga djemtë për t'i vizituar në prag të kësaj ndeshje dhe e pranova me kënaqësi ftesën e tyre, pse jo dhe për t'i dhënë ndonjë këshillë në prag të kësaj ndeshje shumë të rëndësishme për ne".

Ndeshjet e fundit të Shqipërisë e bëjnë Bogdanin të jetë optimist për marrjen e një rezultati pozitiv ndaj Armenisë.

"Duke u bazuar në tre ndeshjet e fundit dhe lojërat që ka zhvilluar kombëtarja, na ka bërë të gjithë të jemi shumë optimistë për marrjen e një rezultati pozitiv ndaj Armenisë dhe të shpresojmë gjithashtu në ëndrrën tonë të madhe, që është kualifikimi".

Sulmuesi që ka luajtur për 74 ndeshje me përfaqësuesen në të tilla përballje ndjen thirrjen e fanellës por tashmë që ka varur këpucët në gozhdë, Erjoni premton se do të japë maksimumin nga tribuna duke përkrahur përfaqësuesen si tifozi i saj numër 1.

"Sigurisht që ndonjëherë ndjej nevojë për të zbritur në fushë, por gjithsesi unë mbetem pranë kombëtares dhe pavarsisht se nuk luajë më, jam tifozi numër 1 i Shqipërisë dhe do të jap përkrahjen time nga tribuna".

Në fund dhe një këshillë e Bogdanit për ish-shokët e tij kuqezinj në prag të ndeshjes me Armeninë.

"Këshilla ime për djemtë është që të luajnë siç luajtën ndaj Francës, sepse me atë lojë e kemi të sigurtë fitoren".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat