Distria dërmon belgen, e artë në Samsun

Sporti

Distria dërmon belgen, e artë në Samsun

Nga: Kemajl Goca Më: 27 mars 2015 Në ora: 17:23

Distria Krasniqi (52 kg) tregoi mjeshtrit e saja në turneun ndërkombëtar “Grand Prix” në xhudo, që u zhvillua në Samsun të Turqisë. Ajo në finale shkëlqeu duke e dërmuar me wazari belgen e mirënjohur, Ilse Heylen. Distria luftoi si luanesh dhe për 4 minuta i dha leksion rivales. Anëtarja e kombëtares së Kosovës ishte në nivelin e lartë, e cila në rrethin e parë ishte më e mirë se holandezja Miranda Wolfslag dhe fitoi për katër minuta luftën. Distria në rrethin e dytë pas katër minutave gjunjëzoi bjellorusen, Darya Skrypnik.

Krasniqi bëri luftë të madhe dhe shënoi një fitore të pastër. Ndërkaq, në rrethin e radhës garuesja pejane hoqi qafesh mongolezen Tsolmon Adiyasambuu, e cila luftë zgjati 3 minuta e 53 sekonda. Më pas shkëlqeu kundër britanikes Kelly Edwards, të cilën e mundi për 52 sekonda dhe plasohet në finale, ku shkatërroi Ilse Heylen.

Nga ana tjetër, xhudisja Nora Gjakova (57 kg), e cila ka fituar dy medalje të arta gjatë këtij viti, në turneun ‘Afriacan Open’ dhe ‘European Open’, e nisi shumë mirë turneun. Gjakova bëri paraqitje të shkëlqyeshme dhe në start mposhti turken Nazlican Ozerler.

Një luftë interesante, e cila zgjati 4 minuta, por Nora ishte më e mirë dhe triumfoi. Pastaj Nora fitoi edhe ndaj Sumiya Dorjsuren nga Mongolia, por në rrethin e tretë u mund nga Viola Waechter. Nora futet në repezash, por ishte e pafat, ngas pësoi humbje nga austriakja Tina Zeltner.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat