K. Italisë, Juventus-Fiorentina kërkojnë finalen

Sporti

K. Italisë, Juventus-Fiorentina kërkojnë finalen

Më: 4 mars 2015 Në ora: 23:29

Në Juventus Stadium, kampionët e Serisë A do të kërkojnë të hedhin një hap të sigurtë drejt finales.

Futbolli italian ofron një nga përballjet më me rivalitet të viteve të fundit, me protagonistë Juventusin dhe Fiorentinën, që do të zbresin në fushë për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë. Në Juventus Stadium, kampionët e Serisë A do të kërkojnë të hedhin një hap të sigurtë drejt finales për të tentuar më pas një trofe të cilin nuk e shijojnë prej dy dekadash. Për herë të fundit bardhezinjtë e kanë ngritur lart Kupën e Italisë në vitin 1995, ku mposhtën me rezultatin e përgjithshëm 3-0 Parmën. Ndërsa sezonin e kaluar Zonja e Vjetër u eliminua që në fazën cerekfinale nga Roma.

Nga ana tjetër edhe Fiorentina ka shumë uri për t'i shkuar deri në fund këtij kompeticioni, që për herë të fundit ka mundur ta fitojë në vitin 2001 dhe me keqardhjen për disfatën 3-1 të pësuar nga Napoli në finalën e sezonit të kaluar. Pozitat e forta në krye të Serisë A i japin luksin Allegrit të hedhë në fushë ndaj skuadrës vjollcë formacionin më të mirë të mundshëm, për të bërë më pas rotacion në takimin me Sassuolon në kampionat. Ndryshe nga Allegri, Montella ka mungesa të shumta në organikë për arsye dëmtimesh, ndërsa gjendja e Pizzarros, Borja Valeros do të vlerësohen në momentin e fundit.

Gjithsesi trajneri vjollcë ka premtuar se skuadra që do të zbresë në fushë do të jetë kompetitive. Që nga fillimi i sezonit 2012 - 2013, Juventusi dhe Fiorentina janë ndeshur 7 herë me njëri- tjetrin, në Serinë A dhe në Europa League. Bardhezinjtë kanë mundur të triumfojnë në 3 takime, një ka shkuar në favor të Fiorentinës, ndërsa tri përplasje të tjera kanë përfunduar në barazim. Në orën 20:45, Supersport ofron për të apasiunuarit e futbollit italian përplasjen e radhës mes dy skuadrave që kanë ditur gjithmonë të dhurojnë emocione më një futboll të bukur dhe tepër cilësor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat