Cungu i pakënqur, Zmijani sheh nga e ardhmja

Sporti

Cungu i pakënqur, Zmijani sheh nga e ardhmja

Më: 4 mars 2015 Në ora: 23:00

Trajneri i Lacit ka kritika për lojtarët e tij, që pavarësisht fitores, nuk u shfaqën me grintën e duhur.

Katër fitore radhazi në kampionat, ndaj emrave të rëndësishëm të futbollit shqiptar dhe sërish i pakënaqur Armando Cungu. Trajneri i Lacit ka kritika për lojtarët e tij, që pavarësisht fitores, nuk u shfaqën me grintën e duhur në fushën e blertë. Sipas Cungut në radhët e Lacit u dalluan shenja vetëkënaqësie.

"Tensioni ka qenë i pranishëm. Kundër ekipeve pa objektiva është tepër e vështirë për të luajtur. Pavarësisht se dominuam kishim mundësi për të dyfishuar. Nuk jam i kënaqur për 90 minuta. Nëse nuk shfaqesh me grintë në fushë, kualiteti nuk ka vlerë. Lamë shumë për të dëshiruar, pashë shenja vetëkënaqësie".

Disfatë deri diku e pranueshme për Vllazninë në këtë transfertë të vështirë, por pasuesi i Rainerit, Luan Zmijani, e pranon se kuqeblutë janë të dërrmuar psikologjikisht dhe duhet të mendojnë për sezonin e ardhshëm.

"Skuadra është e dërrmuar psikologjikisht. Futbollistët vrapojnë por nuk kanë dëshirë të fitojnë. Këto ndeshje do të jenë për seleksionin. Duhet t'u japim dorë lojtarëve të rinj".

Zmijani siguroi se pavarësisht se ka marrë drejtimin e një skuadre pa objektiva, e ndien presionin që ushtron opinioni sportiv në Shkodër.

"Kam trysni në punën time, pasi Shkodra kërkon gjithnjë fitoren, është qytet që e do futbollin".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat