Elbasani-Apolonia, finalja e mbijetesës

Sporti

Elbasani-Apolonia, finalja e mbijetesës

Më: 4 mars 2015 Në ora: 17:42

Takimi që mbyll javën e 25 të Kategorisë Superiore për dy skuadrat protagoniste vjen ndoshta si ndeshja më e rëndësishme e sezonit.

Zakonisht thuhet e fundit por jo më pak e rëndësishmja, dhe kjo vlen edhe për Elbasani-Apolonia. Takimi që mbyll javën e 25 të Kategorisë Superiore madje për dy skuadrat protagoniste vjen ndoshta si ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Të dyja skuadrat ndajnë dy vendet e fundit të klasifikimit dhe për to më shumë se sa një përballje e drejtëpërdrejtë që vlen 6 pikë në vend të 3, mund të konsiderohet si treni i fundit në luftën për mbijetesën. Për ta bërë përballjen më të ndezur, vlen dhe doza e optimizmit që si Elbasani ashtu dhe Apolonia morën në takimet e fundit respektive. Verdheblutë e Muharrem Dostit dolën me një pikë nga Loro Borici ku barazuan 1-1 me Vllazninë, rezultat që i vlejti për të mbajtur 3 pikë larg rivalët.

Apolonia në krahun tjetër ishte padyshim surpriza e madhe e javës së 24, pasi barazoi 2-2 me kryesuesit e Kukësit në një ndeshje ku kryesonte me avantazhin e dy golave 7 minuta para përtfundimit të kohës së rregullt. Formacioni i Mërgjyshit aplikon një lojë të bukur dhe falë talenteve si Uzuni apo Fili që me Ribajn formojnë një tredhëmbësh për tu respektuar ka treguar se mund ti hapë punë duke ndëshkuar pretendentë për titullin, sic ndodhi edhe me Tiranën në Kupë, por tani i duhet të tregojë forcat përballë një rivali të drejtëpërdrejtë. Statistikat sezonale janë në krahun e Elbasanit që i ka fituar të dy përballjet e mëparshme, 2-0 në shtëpi dhe 1-0 në transfertë, por në kampin verdheblu tekniku Dosti i duhet të menaxhojë dy mungesa të rëndësishme, atë të kapitenit Kaculi dhe nigerianit Agboyi që janë të skualifikuar, dhe te Apolonia shpresojnë që të jetë e treta e vërteta, edhe pse në këtë sfidë për të dyja skuadrat nuk ka më marzh për të gabuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat