Josa: Ndaj Tiranës dëshirojmë vetëm fitoren

Sporti

Josa: Ndaj Tiranës dëshirojmë vetëm fitoren

Më: 3 mars 2015 Në ora: 23:21

Gjithsesi trajneri i “ujqërve të dëborës” nuk kërkon alibi dhe thekson se objektivi i vetëm për të tijtë mbetet një dhe një i vetëm, fitorja.

Tirana nuk është kundërshtari më ideal për Skënderbeun në këtë moment delikat të sezonit, jo vetëm se ka marrë katër pikë ndaj korcarëve por gjithashtu dhe sepse vjen pas 10 ditësh pushim duke qenë më e fresket për përballjen e të mërkurës. Këtë fakt e evidenton dhe Mirel Josa në prag të ndeshjes kryesore të javës së 25-të. Gjithsesi trajneri i “ujqërve të dëborës” nuk kërkon alibi dhe thekson se objektivi i vetëm për të tijtë mbetet një dhe një i vetëm, fitorja.

"Tirana është një prej skuadrave që kërkon kreun dhe është një kundërshtar i rrezikshëm, fakti që gjithashtu ka 10 ditë pa luajtur e ndihmon jo pak për të qenë më e freskët ndërkohë që ne kemi pasur shumë impenjime brenda pak ditësh. Gjithsesi, duke parë formën e ekipit unë besoj se do të jetë një takim që do ta përballojmë me sukses, sukses që në rastin konkret do të thotë fitorja dhe pse jam i sigurtë që dhe bardheblutë vijnë në Korcë po me të njëjtin objektiv".

Ndeshja u vu në dyshim ditët e fundit nëse do të luhej apo jo me drita, duke qenë se klubi Skënderbeu ka detyrime ndaj OSHEE që prej vitit 2007. Kjo cështje për momentin u zgjidh dhe takimi do të zhvillohet normalisht në orën 17:00 por Josa dhe pse nuk di të thotë se cili është fajtor për këtë situatë pranon se mungesa e energjisë përbën një problem dhe për përgatitjen e skuadrës.

"Nuk jam unë që duhet të përcaktoj se kush duhet të paguajë faturat e prapambetura të energjisë elektrikë, bashkia apo aksionarët. Me këtë le të merren drejtuesit e klubit une di të them vetëm që kjo gjë na pengon, sepse lojtarët pas stërvitjes nuk kanë dushe dhe nuk kanë as ngrohtësi. Nuk mund të bisedosh me futbollistët në errësirë. Megjithatë unë besoj se kjo cështje do të zgjidhet shumë shpejt".

Në sfidën e fazës së parë dy ekipet barazuan 0-0 në Korcë, ndërkohë që Tirana fitoi në fazën e dytë 2-0 me dy gola të Selermani Ndikumanas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat