Kombëtarja refuzon miqësore me Ukrainën, shkak lufta

Sporti

Kombëtarja refuzon miqësore me Ukrainën, shkak lufta

Më: 3 mars 2015 Në ora: 19:26

Shqipëria refuzon një miqësore në Ukrainë për shkak të luftës në këtë vend. Kanë qenë burime në institucionin e futbollit që bëjnë me dije një fakt të tillë. Kështu, mësohet se Federata Ukrainase dhe ajo Shqiptare prej kohësh kanë qenë në një bashkëbisedim për të zhvilluar një ndeshje miqësore mes palëve. Ukrainasit kanë shprehur dëshirën që të luhej në Kiev, por kjo është refuzuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Sipas asaj që është mësuar, drejtuesit kuqezinj nuk është se kanë qenë shumë entuziastë me këtë kërkesë të ukrainasve.

Mësohet se përgjigja ka qenë negative. FSHF nuk ka pasur dëshirë të çojë Kombëtaren në Ukrainë për shkak të luftës. Është analizuar gjatë kjo kërkesë dhe është arritur në konkluzion që në këtë vend nuk mund të luhej, sepse është shumë e rrezikshme. Trazirat e mundshme në stadium, apo bllokimi i skuadrës në këtë vend kanë qenë frika e drejtuesve të FSHF-së për të ndërmarrë një aventurë të tillë. Gjithsesi, për miqësoren ka ende një opsion. Ajo mund të luhet jashtë Ukrainës, por në mars ose në qershor në datat e lira të UEFA-s.

Me Ukrainën Shqipëria ka luajtur vetëm katër herë. Herën e fundit jemi përballur në një ndeshje në 2005-ën. Bëhej fjalë për finalet e botërorit 2006. Asokohe luante Shevçenko dhe Bogdani dy yje të Serisë A dhe ndeshja u mbyll me rezultatin 2-2. Me ukrainasit kemi luajtur në Granada ku jemi mundur 1-0 në 1997-ën e largët. Me të njëjtin rezultat jemi mundur edhe në Kiev, ndërsa ndeshja e tretë është luajtur në Tiranë ku jemi dërrmuar 2-0, por për ata që e mbajnë mend në atë takim historik është hapur flamuri gjigant i Shqipërisë në stadium. Kujtojmë që Shqipëria më 16 dhe 17 prill do të paraqitet në gjykatën sportive ku do të zhvillohet seanca dëgjimore për ankesën që Shqipëria dhe Serbia kanë bërë në Kas Lozanë.

Federata Shqiptare e Futbollit i ka ankimuar vendimet, e të dyja komisioneve, si të Disiplinës ashtu edhe të Apelit. Shqipëria kërkon tri pikët në tavolinë, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj futbollistëve shqiptarë nga huliganë që invaduan fushën. Për shkak të hedhjes së sendeve dhe flakadanëve në fushë dhe për koret me fyerje raciste, që kanë vazhduar gjatë gjithë ndeshjes. Institucioni i futbollit e ka “gurin” e fundit Kas Lozanën. Përfundimisht këtu sqarohet nëse Shqipëria ka të drejtë ligjore, sepse të drejtën morale ia ka dhënë gjithë bota. Të dy palët do të parashtrojnë mbrojtjet e tyre për të hedhur poshtë vendimet e Disiplinës dhe Apelit. Kuqezinjtë luajnë më 29 mars në Elbasan me Armeninë në një ndeshje vendimtare për kualifikimin në Europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat