K. Gjermanisë, Dortmund e Leverkusen kërkojnë çerekfinalen

Sporti

K. Gjermanisë, Dortmund e Leverkusen kërkojnë çerekfinalen

Më: 2 mars 2015 Në ora: 22:14

Rruga drejt lavdisë me një formulë të tillë është shumë e shkurtër dhe mjaftojnë thjesht 3 takime për të prekur të paktën finalen.

Krejt ndryshe nga gjithë vendet e tjera të Evropës në Gjermani kanë mbetur shumë pas me kupën, aq sa edicioni i 72 i DFB Pokal këtë mesjavë luan ndeshjet e fazës së 1/8. Në kampionat Bajerni nuk ka rivalë por formati i kupës me tek ndeshje i jep mundësi gjithë skuadrave të tjera për të ëndërruar. Rruga drejt lavdisë me një formulë të tillë është shumë e shkurtër dhe mjaftojnë thjesht 3 takime për të prekur të paktën finalen, që do të luhet më datë 30 maj në Olympiastadion të Berlinit, pra vetëm një javë përpara sesa kryeqyteti gjerman të presë finalen e madhe të Champions League-s. Wolfsburg, Borussia Dortmund, Bayer Leverkusen, Borussia Monchengladbach dhe Werder Bremen synojnë të zbresin nga froni mbajtësit e trofeut, Bajernin e Guardiolës, që numëron plot 6 Kupa vetëm në dekadën e fundit, praktikisht po aq sa cka në të vërtetë edhe klubi që renditet i dyti në historinë e fituesve të Kupës së Gjermanisë, Werder Bremen.

Ndeshjet e kësaj faze do të ndahen katër e nga katër mbrëmjet e të martës dhe të mërkurës për të përcaktuar edhe 8 skuadrat cerekfinaliste që do të kenë të drejtën për vazhduar rrugën e tyre. Në Supersport fillimisht do të transmetohen dy nga ndeshjet e këtij turi, ku spikat Borussia e Dortmundit, me ekipin e Jurgen Klopp që do të ndeshet në orën 20:30 me skuadrën e Kategorisë së Tretë, Dinamo Drezden. Fituesit e vitit 2012 paraqiten në Saxony me plot 4 fitore radhazi në Bundesliga, ecuri që përvecse e ka larguar ndjeshëm skuadrën e Klopp nga zona e ftohtë, ka rikthyer gjithashtu besimin te futbollistët verdhezinj. Në fakt me këto ngjyra në Glucksgas Stadion do të zbresin në fushë futbollistët vendas, pasi përfaqësojnë pikërisht ngjyrat me të cilat luan Dinamo në shtëpi. Edicionin e kaluar Borussia ishte vërtet shumë pranë këtij trofeu, por dy gola të shënuar nga Arjen Robben dhe Thomas Muller në shtesën e dytë të takimit final si dhe gabimet e rënda të gjyqtarëve i mohuan klubit nga Dortmundi kupën e katërt në histori.

Pavarësisht se takimi zhvillohet në Drezden vendasit luajnë dy kategori më poshtë dhe kanë humbur 4 nga 5 ndeshjet e fundit aty, kështuqë edhe nëse Klopp bën ndryshime në njëmbëdhjetëshin fillestar forma aktuale mjafton për të mposhtur një kundërshtar të tillë. Kjo është përballja e dytë ndërmjet tyre sepse tre sezone më parë Borussia fitoi 2-0 brenda në Westfali, falë golave të shënuar nga dy lojtarë si Lewandowski dhe Gotze që aktualisht luajnë në radhët e Bajernit të Guardiolës. Më herët në orën 19:00 në BayArena Leverkuseni do të presë në shtëpi një tjetër skuadër të ligave inferiore, si Kaizerslauterni. Diferencat edhe këtu janë të mëdha pasi ekipi i Roger Schmidt për momentin mbyll Zonën Champions, ndërsa "djajtë e kuq" renditen në vendin e tretë dhe shpresojnë që sezonin e ardhshëm të maten me më të mirët e Gjermanisë. Kaizerslauterni dhe Leverkuseni e kanë fituar këtë trofe respektivisht nga 2 dhe 1 herë, sidoqoftë të kuqtë kryesojnë gjithashtu 3 me 2 edhe bilancin me kualifikime në ndeshjet e mëparshme, madje miqtë sezonin e kaluar pikërisht në përballjen e tyre të fundit i eliminuan "aspirinat" në cerekfinale brenda në Leverkusen, falë një goli të shënuar nga mesfushori norvegjez Jenssen vetëm 6' para ekzekutimit të 11-metërshave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat