Fenninger fitoi, i afrohet Mazes!

Sporti

Fenninger fitoi, i afrohet Mazes!

Nga: Kemajl Goca Më: 2 mars 2015 Në ora: 14:12

Austriakja Anna Fenninger brenda dy ditëve shënoi dy fitore të njëpasnjëshme dhe dukshëm ka ngushtuar epërsinë e skiatores sllovene Tina Maze, e cila kryeson në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës. Feninnger pas fitores të dielën në superkombinim, sot ngadhënjeu edhe në supersllallomin e madh, që u mbajt në Qendrën e Skive në Bansko të Bullgarisë.

Austriakja rrëshqiti për bukuri, e cila zuri vendin e parë me kohë të kaluar për 1:14.59 minuta. Tina Maze me gjithë orvatjet e saja mbetet në vend të dytë më kohë më të dobët për 16 qindtat se fituesja e garës dhe ka pasur 12 qindtat të kohës më të mirë se amerikania Lindsey Vonn, që u renditet në vend të tretë. Kjo garë ishte shumë e fortë dhe më së miri e dëshmon edhe diferenca e vogël në qindtat e sekondës. Në vend të katërt pozicionohet austriakja Nicole Hosp, e cila pati kohën më të ngadalshme për 27 qindtat se vendi i tretë dhe qe më e shpejtë për një qindtën se e pesta në renditje, italiania Elena Curtoni.

Viktoria Rebensburg nga Gjermania nuk pati aq paraqitje të mirë, e cila zuri vendin e gjashtë dhe pati kohën për 66 qindtat e sekondës më të ngadalshme se pozita e parë. Maze kryeson me 1145 pikë në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës dhe ka 44 pikë më tepër se vendi i dytë.

Në vend të tretë është Mikaela Shiffrin (SHBA) me 750 pikë, pasojnë: Lindsey Vonn (SHBA) 706 e Kathrin Zettel (Austria) me 586 pikë. Në renditjen e përgjithshme të supersllallomit të madh, Fenninger kryeson me 372 pikë, pasojnë: Vonn 340, Maze 250, Gut 216 e Huetter me 204 pikë. Gara e radhës mbahet me 7-8 mars në Qendrën e Skive në Garmisch-Partenkirchen të Gjermanisë.

Deri në fund të këtij edicioni kanë mbetur edhe tetë gara dhe secila pritet të jetë më e fortë se tjetra veçmas luftë e ashpër për titullin e botës sidomos mes dy skiatoreve: Maze e Fenninger. Maze shpreson të thellojë epërsinë në garat e ardhshme, ndërsa Fenninger të merr kreun e renditjes së përgjithshme.

Rezultatet

1. Anna Fenninger (Austria) 1:14.59
2. Tina Maze (Sllovenia) 0.16
3. Lindsey Vonn (SHBA) 0.28
4. Nicole Hosp (Austria) 0.55
5. Elena Curtoni (Italia) 0.56
6. Viktoria Rebensburg (Gjermania) 0.66
7. Tina Weirather (Liehteshtajni) 0.85
8. Cornelia Hütter (Austria) 0.90
9. Nadia Fanchini (Italia) 0.96
10. Lara Gut (Zvicra) 1.01

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat