Glik i dhuron fitoren Torinos ndaj Napolit

Sporti

Glik i dhuron fitoren Torinos ndaj Napolit

Më: 2 mars 2015 Në ora: 00:11

Skuadra e Venturës ushtroi presion që në sekondat e para të sfidës, madje iu afrua golit në minutën e dytë me Martinez.

Atëherë ku më shumë se kurrë i duhej fitorja, Napoli nuk arrin të marrë qoftë një pikë. Skuadra e Rafa Benitez u mposht 1-0 në transfertë nga Torino, falë golit të polakut Glik, në mesin e pjesës së dytë, duke i dhënë qetësi Romës në prag të përballjes me Juventusin në "Olimpico".

Skuadra e Venturës ushtroi presion që në sekondat e para të sfidës, madje iu afrua golit në minutën e dytë me Martinez, që goditi mbi tra në një pozicion mjaft të mirë. Kundërpërgjigjja e Napolit do të vinte në minutën e 38, por magjia e Hamsik me një të djathtë fluturimthi përfundoi jashtë për pak centimetra. Në minutën e 48, Gonzalo Higuain provoi nga një distancë e largët, por finalizimi i tij ishte qendror.

Një pasiguri e mbrojtjes në zhvillimet një një goditjeje këndi do t'i kushtonte rëndë Napolit në të 68. Glik, pasi iu shmang mbulimit të mbrojtjes, e dërgoi me kokë topin në rrjetë, duke e lënë të shtangur në vend portierin Andujar. Nga ky moment sfida u bë edhe më e bukur, me raste të pastra në të dyja portat. Në të 75, Higuain gabon sërish shënjestër pas asistit të De Guzman, ndërsa 4 minuta më pas shtylla i mohoi golin Gabiadinit. Në të 83 Bovo provoi të gjente golin me një goditje potente jashtë zonës, por reagoi në pozicion argjentinasi Andujar. Përpjekjet e Napolit për të shmangur humbjen rezultuan të kota, pasi në minutat e fundit Torino mendoi më shumë për të mbrojtur rezultatin, duke marrë një fitore të rëndësishme që e ngjit në kuotën e 36 pikëve.

Në sfidën e mëparshme, Interi u mund në San Siro nga Fiorentina. Klubi vjollcë triumfoi 1-0 falë golit të Salah në minutën e 56'.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat