Garcia: Duhet të fitojmë ndaj Juventusit

Sporti

Garcia: Duhet të fitojmë ndaj Juventusit

Më: 1 mars 2015 Në ora: 21:33

"Tani për ne ka rëndësi vetëm kjo ndeshje, duam ta fitojmë".

Para supersfidës së javës së 25 me Juventusin, Rudi Garcia e pranon: Tanimë Roma është padrone e fatit të saj vetëm në luftën për vendin e dytë. Trajneri i verdhekuqve që pas sfidës së fazës së parë me bardhezinjtë u shpreh i sigurt se skuadra e tij do të fitonte titullin, e pranon se tashmë sfida e kësaj të hëne me bardhezinjtë është e rëndësishme, por më shumë për luftën për vendin që siguron hyrjen automatike të Romës në Champions se sa për titullin.

"Tani për ne ka rëndësi vetëm kjo ndeshje, duam ta fitojmë. Duhet të bëjmë gjithcka për të ruajtur vendin e dytë. Kjo do të jetë e vetmja mënyrë edhe për të patur mundësi që të tentojmë të parin. Edhe nëse do të fitonim gjithsesi, për sa i përket kampionatit kjo tanimë nuk varet vetëm nga ne".

Rudi Garcia që kur ka zbarkuar në Itali nuk ja ka dalë asnjëherë të fitojë ndaj Juventusin në kampionat dhe tanimë i duhet të përballet edhe me deklaratat e tij para disa muajve kur shprehej i sigurt se Roma do të triumfonte për titullin.

"Duhet të shfaqemi në lartësinë e duhur. Frazat që thashë në tetor për titullin? Ndoshta atje lart ka një fuqi të mistershme edhe për këtë mëkat, nëse kam mëkatuar me mendjemadhësinë. Nëse e bëra këtë mëkat, nuk ishte sjellja e një budallai që nuk di të reflektojë dhe që i thotë gjërat fluturimthi. Mendoj se për të mbajtur lart motivimin dhe ambiciet ishte e nevojshme që ta bëja dicka të tillë. Ambiciet tona nuk ndalen vetëm për këtë sezon pasi fati i Romës është që të fitojë, të luftojë për titullin e të shpresojmë që një ditë edhe për Europën ".

Këto mund të jenë ambiciet e së ardhmes, por ndërkohë një arritje mund të jetë edhe një fitore në Olimpico ku Romës i mungon suksesi që nga nëntori i kaluar.

"Kemi shumë dëshirë ta fitojmë këtë ndeshje pasi luhet në Olimpico edhe pse ka ca kohë që ambienti nuk është i qetë për shkak të barazimeve të shumta. Jam i sigurt se djemtë do të japin gjithcka dhe do të luftojnë shumë për të fituar, pavarësisht se përballemi me skuadrën më të fortë të kampionatit".

Për sa i përket formacionit Garcia konfirmoi mungesan e Doumbia ndërkohë që Iturbe është i gatshëm edhe pse nuk mund të luajë ende një ndeshje të tërë. Trajneri verdhekuq shpreson të shohë një ndeshje të bukur ndërsa shpjegon edhe ambiciet e ekipit të tij.

"Roma kërkon të demonstrojë se mund të konkurrojë me të parën e kampionatit. Unë gjithmonë kam menduar këtë pavarësisht se gabimet tona na kanë cuar në këtë situatë. Nëse Juventusit do t'i kishin munguar Pirlo e Pogba sic na ndodhi ne me Strootman dhe Castan do të kishte ndodhur e njëjta gjë, por tani fjalët nuk kanë shumë rëndësi, rëndësi ka që të bëjmë gjithcka për të fituar".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat