Baton Çitaku dhe Linor Çitaku kampion i çifteve për meshkuj (Foto)

Sporti

Baton Çitaku dhe Linor Çitaku kampion i çifteve për meshkuj (Foto)

Më: 1 mars 2015 Në ora: 00:24

Kampionati individual i Kosovës për senior në pingpong për vitin 2015 filloi sot (e shtunë 28 shkurt 2015), në sallën e pingpongut në Prishtinë, ku morën pjesë mbi 80 pingpongistë nga e gjithë Kosova.
Sot gara u përshkua me ndeshje të mira dhe cilësore që filluan nga çiftet e meshkujve, si dhe garat deri në 16 e finales në individuale të meshkujve. Tërë ditën pati lojëra mjaft interesante, rivalitet e poena shumë atraktivë.
Garat në kategorinë e çifteve të meshkujve ishin të baraspeshuara dhe shumë atraktive, ishin të paraqitur 28 çifte ku secili prej tyre e donte fitoren. Në gjysmëfinalen e parë vëllezërit Çitaku nga Prishtina, ishin më të mirë se Yll Maloku dhe Jeton Beqiri nga Ferizaj duke fituar me 3:0. Gjysmëfinalja e dytë ishte e baraspeshuar për të triumfuar në fund çifti nga Ferizaj Alban Hoxha/ Mentor Shabani ndaj çiftit nga Prizreni Eroll Boshnjaku/Rifat Rifati me 3:2. Në finale Linori dhe Batoni treguan lojë shumë të mirë duke ju mundësuar kundërshtarëve të marrin vetëm setin e parë, e me këtë ruajtën titullin e kampionit për çifte që kishin fituar edhe vitin e kaluar. Në fund të garave për çifte të meshkujve FPPK shpërndau për fituesit mirënjohje, medalje dhe kupë.

Te kategoria e individuale e meshkujve interesimi ishte mjaft i madh, secili lojtar mundohej të jap maksimumin e tij, të gjithë favoritët kaluan në fazën e dytë që do të zhvillohen nesër, në përjashtim të Jeton Oruqit që pësojë disfatë ndaj Berkan Bajmakut. Lojë shumë atraktive për publikun u zhvillua ndërmjet Blendon Lutës dhe Feim Ramës 3:0, Blendoni realizoi disa goditje shumë të veçanta me të cilat e befasoi kundërshtarin e tij me përvojë e me këtë mori edhe duartrokitje të shumta nga pjesëmarrësit.
Nesër në program është paraparë të zhvillohen garat në çifte të përziera, çifte ferma, individuale femra si dhe pjesa më e fortë e individuales së meshkujve. Të gjitha garat individuale do të zhvillohen në 4 seta të fituar, që do nxjerr në pah aftësitë dhe shkathtësitë fizike dhe psikomotorike të lojtarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat