Federer kampion në Dubai, mposht Gjokoviqin në finale

Sporti

Federer kampion në Dubai, mposht Gjokoviqin në finale

Më: 28 shkurt 2015 Në ora: 19:24

Veterani zviceran duket se nuk njeh moshë e limite dhe numri 2 i botës zhvilloi një ndër ndeshjet më të mira të kohëve të fundit duke siguruar fitoren e 20 në 37 përballjet me tenistin serb.

Roger Federer në qiellin e shtatë. Mbreti i këtij sporti koleksionoi titullin e shtatë në Dubai duke barazuar kështu numrin e trofeve të arritur në Wimbledon dhe Halle pas fitores në vetëm dy sete ndaj numrit 1 të botës Novak Djokovic. Veterani zviceran duket se nuk njeh moshë e limite dhe numri 2 i botës zhvilloi një ndër ndeshjet më të mira të kohëve të fundit duke siguruar fitoren e 20 në 37 përballjet me tenistin serb. Bëhet fjalë për rivalitetin e dytë më të ashpër në historinë e këtij sporti përsa i përket tenisit modern, pas atij Nadal-Djokovic, që janë ndeshur plot 42 herë ndërmjet tyre. Kampioni në fuqi fitoi shortin dhe parapëlqeu për të shërbyer vetë i pari dhe kjo në fakt rezultoi edhe zgjedhja e duhur pasi mjeshtri helvet nuk u thye asnjëherë në shërbim. Federer anuloi në servis plot 7 mundësi të kundërshtarit të tij duke filluar nga "game" i tretë i takimit, kur Nole e pa vetën në avantazhin 15-40.

Pasi fitoi atë game Roger e theu në shërbim numrin 1 të klasifikimit botëror në "game"-n e tetë dhe më pas mbylli setin hapës duke mbrojtur me sukses shërbimet e tij. Në setin e dytë Federer u mbrojt mirë në dy situata identike në game-t 8 dhe 10, kur nga disavantazhi 15-40 fitoi katër pikë rresht. Pasi i anuloi ato dy mundësi për setin rivalit të tij 33-vjecari nga Bazeli fitoi "game"-n pasardhës me shërbimet e kundërshtarit, game që rezultoi përcaktues për fatin e takimit sepse në radhën e tij në servis kampioni në fuqi mbylli gjithë takimin, gjithsesi edhe aty jo pa i anuluar një tjetër mundësi rivalit të tij. Përfundimisht Federer fitoi krejt ndeshjen me rezultatin 6-3, 7-5 në vetëm 84' gjithsej. Gjatë këtij takimi tenisti helvet shënoi 12 ace, duke u bërë kështu i katërti tenist që kalon kuotën 9.000, që nga viti i largët 1991 kur filluan të regjistroheshin këto shërbime, pas emrave të famshëm të këtij specialiteti si Ivo Karlovic, Andy Roddick dhe Goran Ivanisevic, që është cimentuar në vendin e parë me plot 10.183 ace në karrierë.

Kjo ishte përsëritja e finales së vitit 2011 kur Nole fitoi bindshëm 6-3, 6-3, por njëkohësisht edhe disfata e parë për Djokovic në një finale në turneun e Dubait, pasi 27-vjecari serb kishte fituar më parë 4/4 finalet e luajtura në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa për Federer në krahun tjetër ky është titulli i shtatë në nëntë finale nga 12 pjesëmarrje gjithsej në Dubai dhe c'ka e bën më interesante ndaj shtatë kundërshtarëve të ndryshëm. Pas Brisbane-t në fillim të sezonit kështu tenisti zviceran koleksionon titullin e dytë të vitit 2015 dhe të 84 në karrierë ndërkaq veterani nga Bazeli ndonëse gjashtë vjet më i madh sesa tenisti serb regjistroi fitoren e tretë në katër përballjet e fundit ndërmjet tyre, c'ka tregon më së miri se Federer ka plotësisht të drejtë për të sulmuar sërish fronin e numrit 1 të botës, ku në fakt Roger ka mbretëruar për plot 302 javë gjithsej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat