Shqiptarja kampione e Skandinavisë

Sporti

Shqiptarja kampione e Skandinavisë

Nga: Kemajl Goca Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 18:41

Volejbollistja më e mirë shqiptare, Arjola Prenga, me ekipin e saj, Stod Volley nga Norvegjia, janë kampion për të tretën herë radhazi në garat e Skandinavisë në volejboll. Stod Volley në finale mposhti me rezultat 3:0 ekipin nga Suedia, Engelholm. Arjola, ndryshe është edhe anëtare e kombëtares së Shqipërisë, ekskluzivisht për gazetën kombëtare “Bota sot”, tha se është tejet e lumtur për trofeun që fituan. “Sigurisht që jam shumë e lumtur, edhe pse është një emocion që e kam provuar dy herë të tjera, pasi kjo është hera e tretë që unë shpallem kampione e Ligës Skandinave”, tha Prenga. Sa ishte vështirë përballë kësaj skuadre?

Çdo kundërshtar është shumë i vështirë, si ne ashtu edhe Engelholm vinim pas dy fitoreve me Oslon nga Norvegjia dhe me Holte nga Danimarka, kështu që sot të dyja ekipet ishim në të njëjtën pozicion, megjithatë, ne kishim favorin e të qenit kampionet e 2014-ës, kështu që luftuam fort për të marr fitoren edhe në këtë sfidë”, tha Arjola nga kryeqyteti i Danimarkës, Kopenhaga, atje ku u luajt edhe finalja e madhe.

Volejbollistja shqiptare tha se nuk do të thotë që dominojnë qe tre vite radhazi në këtë garë dhe janë të pa konkurrencë! “Fakti qe Stod Volley ka fituar këto tre vitet e fundit nuk do të thotë që nuk kemi konkurrencë, përkundrazi, nga viti në vit ekipet janë përforcuar dhe fitoret i kemi pasur paksa me vështirësi.

Por që ne kemi punuar dhe studiuar shumë të gjitha ekipet pjesëmarrëse në Ligën Skandinave për të arritur fitoret dhe për t’u shpallur kampion”, ka thënë ajo, e cila flet edhe për synimet në sfidat e ardhshme “Ne do të vazhdojmë të jemi në garë në Challenge Cup 2015, pas fitores në Baku me Azerrail, jemi ne ‘4th final of Challenge Cup’. Synimi ynë ishte të arrinim deri këtu, por tani që ia dolëm, qëllimet shtohen. Kështu që kërkojmë edhe gjysmëfinalen e madhe dhe sigurisht të fitojmë edhe Kampionatin e Norvegjisë”, thotë Arjola, që luan në pozitën gjuajtëse anësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat