Teuta rigjen fitoren me Vllazninë në Durrës

Sporti

Teuta rigjen fitoren me Vllazninë në Durrës

Më: 31 janar 2015 Në ora: 22:46

Në Niko Dovana, djemtë e detit iu falën një goli në fund të Mirel Cotës për të mposhtur 2-1 Vllazninë.

Teuta lë pas humbjen që krijoi aq shumë polemika ndaj Flamurtarit duke u rikthyer te fitorja në Kategorinë Superiore. Në Niko Dovana djemtë e detit iu falën një goli në fund të Mirel Cotës për të mposhtur 2-1 Vllazninë. Risi në formacionin e Vllaznisë me Gilman Likën që debutonte me fanëllën e shkodranëve, teksa së bashku me Shtubinën ishte hedhur nga trajneri Raineri në fushë në mbështetje të sulmuesit të vetëm uruguaianit, Sebastian Soza.

Te Teuta, trajneri Begeja propozonte që nga minuta e parë në majën e sulmit dyshen e ardhur në këtë merkato të përbërë nga Mirel Cota dhe Bekim Kuli. Në Niko Dovana, sfida nisi me një Vllazni më kërkuese. Në minutën e 25-të Soza edhe pse avancoi shumë mirë nga e djathta e sulmit të Vllaznisë nuk gjeti dot pasimin fitues për te Shtubina. Dy minuta më pas ishte Ndricim Shtubina ai që provoi por goditja e tij ishte e dobët. Në të 35-tën u regjistrua rasti më flagrant. Në ekzekutimin e një goditjeje dënimi, Bekim Kuli i shpëtoi mbrojtjes së skuadrës shkodrane por tentativa e sulmuesit përfundoi për pak mbi traversë. Gjithsesi Teuta arriti të zhbllokonte rezultatin vetëm pak caste më vonë. Ansi Nika u pengua brenda zonës nga Olsi Gocaj, dhe kryesori Blerim Ziri nuk kishte asnjë dyshim duke akorduar 11-metërsh për durrsakët e duke ndëshkuar mbrojtësin e Vllaznisë me karton të verdhë. Goditjen nga pika e bardhë e penalltisë e mori përsipër vetë Ansi Nika me këtë të fundit që nuk fali duke mposhtur portierin Selimaj për ti dhënë epërsinë Teutës.

Minutat e mbetura të pjesës së parë nuk sollën më asnjë ndryshim, ndërsa kur kishin kaluar pak minuta nga fillimi i pjesës së dytë ndeshja u ndërpre për mungesë të ambulancës, e cila ishte nisur drejt spitalit të qytetit të Durrësit, për të transportuar një punojës të stadiumit që ndodhej në gjëndje jo të mirë shëndetsore. Me rikthimin e ambulancës pas disa minutave rifilloi edhe ndeshja. Pas disa përpjekjeve pa sukses Vllaznia barazoi shifrat me Sebastian Sozën. Sulmuesi uruguian përfitoi nga një pasiguri e portierit Osmani duke realizuar golin e tij të 6-të sezonal. Vetëm 1 minutë më pas Selimaj bëri mrekullinë teksa ndali një goditje nga distanca të Bruno Ditës. Ky i fundit provoi edhe në të 85-tën por topi i goditur prej tij kaloi ngjitur me shtyllën. Gjithsesi Teuta ja doli të realizonte golin e fitores në minutën e 91-të.Mirel Cota i harruar brenda zonës nga mbrojtësit e Vllaznisë goditi saktë duke shënuar golin e tij të parë që pas rikthimit te në Durrës. Sfida e Niko Dovanës u mbyll me protestat e Vllaznisë për një gol të realizuar nga skuadra shkodrane në minutën e 95-të por që u anullua nga kryesori Blerim Ziri. Me këtë sukses Teuta u ngjit në kuotën e 19 pikëve duke u distancuar akoma edhe më tepër me fundin e renditjes, ndërsa Vllaznia edhe pas javës së 20-të pozicionohet në vendin e 7-të në kuotën e 23 pikëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat