Kukësi nuk njeh rivalë

Sporti

Kukësi nuk njeh rivalë

Më: 31 janar 2015 Në ora: 21:42

Skuadra e Artim Shaqirit iu fal këmbëve të Pero Pejic për të siguruar fitoren e dytë të vitit 2015 dhe të pestën rresht në kampionat.

Kukësi me hap kampioni. Skuadra e Artim Shaqirit iu fal këmbëve të Pero Pejic për të siguruar fitoren e dytë të vitit 2015 dhe të pestën rresht në kampionat duke mos lëshuar terren ndaj kundërshtarëve në garën për titullin kampion. Edhe pse në stadiumin e boshatisur "Zeqir Ymeri" për shkak të penalizimit nga disiplina, skuadra veriore bëri detyrën ndaj Elbasanit duke fituar pastër 3-0. Rezultat ky që e lejon ekipin kuksian të ruajë vendin e parë në klasifikim. Ende pa mbushur minuta e parë, Pero Pejic ndëshkoi miqtë me një gol prej bomberi tipik pasi stopi me të djathtën një top të gjatë dhe ndëshkoi portierin elbasanas me të majtën duke e vendosur në dishezë ndeshjen për djemtë e Artim Shaqirit. Ishte sërish bomberi kroat që në minutën e 14 kërcënoi Elbasanin me një goditje nga jashtë zonës, ndërsa verdheblutë kishin rastin më të mirë për golin e barazimit në minutën e 22. Ylli Hoxha humbi një top në kufijtë e zonës së rreptësisë, por Lamce i gjendur vetëm për vetëm me portierin Halili preku vetëm shtyllën e djathtë të gardianit. Nënkampionët nuk e ulën ritmin sepse në të 26-ën Shkëlqim Halili goditi nha jashtë zonës por Hila devijoi topin qe ishte drejtuar në portë, ndërsa 2 minuta nga fundi i fraksionit të parë, Vilfor Hysa nuk e shfrytëzoi saktësisht krosimin e ardhur nga e majta.

Kukësi nuk lëshoi terren as në fraksionin e dytë edhe pse Elbasani e nisi me disa ngacmime të parrezikshme në portën e Halilajt. Në të 52-ën, Vilfor Hysa shpërdoroi një rast por u korrigjua 2 minuta me vonë me një krosim të saktë që gjeti të cmarkuar Pejic i cili realizoi me lehtësi. Mici lëshoi një goditje të fortë nga jashtë zonës por topi i tij kaloi pak cm larg shtyllës së djathtë të Rucit. Pejic u bë sërish protagonist pak minuta me vonë me një parabël por gardiani mik bllokoi tentativën e kroatit. Ky i fundit nuk gaboi në minutën e 87-të duke përfituar nga cakordimi i mbrojtjes së Elbasanit për të shënuar edhe golin e 14 personal. 3-0 dhe Kukësi konfirmohet forca kryesore e kampionatit duke u ngjitur në kuotën e 44 pikëve. Një fitore që rrit moralin e ekipit verior që javën e ardhshme do të vizitojë transfertën e vështirë të Laçit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat